Ndonëse janë të thirrur për mbrojtjen dhe ruajtjen e pyjeve, jo të gjithë rojat e kanë bërë një gjë të tillë.
4 roja të pyjeve në Bjeshkët e Nemuna kanë lejuar prerjen ilegale të tyre, andaj policia ka arrestuar dy në Deçan dhe dy të tjerë në Junik brenda 48 orëve të fundit për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton KTV.
Për dy prej tyre, është kërkuar masë e paraburgimit, e dy të tjerët janë ende në mbajtje.
Shoqëria civile konsideron se shkatërrimi i pyjeve po bëhet në mënyrë institucionale dhe se disa herë kanë lajmëruar rastin në polici.
Drejtori i Parkut Nacional, “Bjeshkët e Nemuna”, Fatmir Morina ka thënë se ka pasur shumë raste të prerjes ilegale të pyjeve nga ana e qytetarëve.
Përderisa ka shtuar që kjo është hera e parë që arrestohen zyrtarë të kësaj drejtorie, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor.
Arrestimi i tyre është bërë pas një aksioni të policisë, ku fillimisht janë ndaluar disa qytetarë me dru zjarri dhe gjatë kontrollit, nuk është përputhur dokumenti i lëshuar nga rojat me masën drunore të ngarkuar.