Policia e Kosovës ka njoftuar se ka zhvilluar një operacion në katër rajone të ndryshme, bazuar në hetimet që ishin zhvilluar më herët në lidhje me dyshimet për veprën penale “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
Në këtë operacion thuhet se janë zhvilluar kontrolle në 11 lokacione të ndryshme në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë e Gjilan.
“Gjatë këtij operacioni policor, sot, me datën 02.11.2023, është bërë kontrollimi i shtëpive me objektet përcjellëse dhe e një lokali në njëmbëdhjetë (11) lokacione, në katër rajone: Prishtinë, Pejë, Mitrovicë dhe Gjilan. Gjatë kontrollit të lokacioneve të lartcekura janë gjetur dhe janë sekuestruar dëshmitë materiale si në vijim: dy (2) pushkë automatike AK 47, dy (2) pushkë gjuetie, një (1) pistoletë, pesë (5) karikator, njëqind e gjashtëmbëdhjetë (116) fishekë të kalibrave të ndryshëm etj”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sipas njoftimit në polici janë shoqëruar dhjetë persona, të cilët pas intervistimit janë liruar në procedurë të rregullt.
{gallery}