Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Policia kontrollon 31 shitore të telefonave në Prishtinë, sekuestron 118 telefona të mençur

Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion të martën, ku në koordinim me inspektorët e Ministrisë së Industrisë dhe Tregtisë kanë kontrolluar 31 shitore të telefonave në Prishtinë, që njihen ndryshe si mobile shop.

Gjatë kontrollit janë sekuestruar 118 telefona të mençur, 3 tableta, 11 airpods, ndërsa është mbyllur nga Inspektorati një lokal, pasi po funksiononte i pa regjistruar.

Po ashtu një lokal është bllombuar pasi ishte i mbyllur deri në fund të operacionit.

Pronarët e bizneseve të kontrolluara dyshohet se kanë kryer veprat penale “shmangia nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore”, “kontrabandim i mallrave” dhe “shmangia nga tatimi”.

“Lidhur me rastin hetime tjera ende janë në proces dhe autoritetet janë të përkushtuara në parandalimin dhe luftimin e veprave penale, në veçanti luftën e pa kompromis kundër krimeve ekonomike”, thuhet nga Policia.