Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Policia i ndjekë deri në shtëpi për t’i arrestuar dy persona

Dy persona janë arrestuar gjatë pasdites të së hënës në Malishevë, pasi të njëjtit nuk i janë bindur urdhrave të Policisë për t’u ndalur në pikën e kontrollit të automjeteve.

Pasi të njëjtit nuk e kishin përfillur shenjën e Policisë për ndalim dhe ishin larguar nga vendi i ngjarjes, njësitë policore i janë vënë pas deri në arritjen në shtëpinë e të dyshuarve, ku edhe i kanë arrestuar.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Gjurkaj, ka thënë për KOHËN se të dyshuarit gjatë arrestimit kishin shfaqur rezistencë dhe i kanë fyer zyrtarët policorë.

Sipas policisë, e gjithë kjo kishte ndodhur për shkak se të njëjtit nuk kishin poseduar patent shofer dhe nga frika kanë vepruar në atë mënyrë, duke ikur nga vendi i ngjarjes e duke mos bashkëpunuar me policinë edhe më pas.

“Pas arrestimit të dyshuarit janë intervistuar lidhur me veprimet e tyre, të cilët edhe i kanë pranuar këto veprime. Sipas tyre, arsyeja e mosndaljes në pikë kontrolli ka qenë sepse ata nuk posedonin patent shofer dhe nga frika kishin vepruar në atë mënyrë”, ka thënë Gjurkaj.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe me vendim të tij, dy të dyshuarit ndalen në mbajtje për 48 orë.