Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Policia e Kosovës arreston të dënuarin me burgim të përjetshëm për vrasjen e pesëfishtë në Shkup

Duart e lidhura me pranga, - arrestim

Policia e Kosovës e ka arrestuar të enjten A.D., i cili kërkohej me fletarrest ndërkombëtar të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut për vrasjen e pesëfishtë më 2012 në Shkup.

A.D. është një prej të akuzuarve për veprën penale “Terrorizëm” për vrasjen e pesë të rinjve në afërsi të liqenit të Smilkovës.

“Sot (24.08.2023) Policia e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me policinë maqedonase në Kosovë ia ka hequr lirinë Alil Demirit (38) në bazë të fletarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga MPB-ja e RMV-së. , i kërkuar në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore Shkup 1, për kryerjen e veprës penale ‘Terrorizëm’, lidhur me vrasjen e rëndë të pesëfishtë në liqenin Smillkovës. Sipas informacioneve të marra nga Policia e Kosovës, ai do të paraqitet para gjykatësit kompetent”, thuhet në njoftimin e MPB-së maqedonase, raportoi “Alsat-M”.

Demiri, 38 vjeç, është arrestuar më 24 gusht në Kosovë, ku besohet se ka qëndruar prej kur u arratis pasi u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2012 nga një gjykatë e shkallës së parë, në rastin e njohur si “Monstra”.

Rasti u kthye në rigjykim dhe ai u dënua sërish me burgim të përjetshëm në vitin 2021.