Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një shtetas të huaj, i cili ishte në kërkim ndërkombëtar përmes Interpolit me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga Gjermania.
Ai po kërkohej për veprën penale që kanë të bëjnë me trafikimin e lëndëve narkotike.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë.
“Sot, më datë 27.01.2026, Policia e Kosovës, përkatësisht zyrtarët policorë nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor-ILECU, në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Stacionin Policor Jugu – Prishtinë, kanë realizuar arrestimin e një personi shtetas i huaj. I dyshuari ishte në kërkim ndërkombëtar përmes INTERPOL-it, bazuar në urdhër-arrest ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet kompetente të shtetit të Gjermanisë, për veprën penale “Trafikimi i drogave narkotike në mënyrë të përsëritur dhe fitimprurëse”, vepër kjo e sanksionuar sipas legjislacionit penal gjerman. Me urdhër të Prokurorit Kujdestar, i arrestuari është dërguar në ndalim policor për 48 orë, me qëllim të vazhdimit të procedurave të mëtejme ligjore, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në bashkëpunimin ndërkombëtar dhe në luftimin e krimit të organizuar dhe veprave të rënda penale”, ka njoftuar Policia e Kosovës.