Dy persona janë shoqëruar në Polici në mëngjesin e të hënës, pasi kanë penguar punimet në Rrugën A.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të dy janë intervistuar dhe u është shqiptuar gjobë për “prishje të rendit dhe qetësisë publike”.
“Sot rreth orës 08:00, dy persona janë shoqëruar për në stacion policor, pasi që të njëjtit kanë penguar punimet që kanë qenë duke u bërë në rrugën “A”. Në koordinim me prokurorin, të njëjtit janë intervistuar dhe u janë shqiptuar gjoba për “Prishje të rendit dhe qetësisë publike””, ka njoftuar për KOHËN zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i pyetur nga Ekonomia Online, për incidentin gjatë asfaltimin të Rrugës A dhe se si do të zgjidhet problemi, tha se nuk është në dijeni për këtë incident.
“Nuk kam informatë rreth incidentit, por normalisht ne merremi me të gjitha incidentet”, tha shkurt Rama.
Gjatë ditës, tek asfaltohej Rruga A, familja Dushullovci që thotë se është pronare e tokës, akuzoi Komunën, duke thënë se nuk u zbatua marrëveshja.