Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Parandalohet kontrabandimi i mallrave në vlerë 7 mijë euro nga Maqedonia e Veriut në Kosovë

Policia e Kosovës në bashkëpunim me Doganën kanë parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra në brezin kufitar në mes të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

“Me datën 13.12.2023 njësitë Task Forcë – Lindje, së bashku me njësitë nga Dogana e Kosovës, kanë identifikuar një automjet të dyshuar me targa vendore, i cili dyshohet se përmes rrugëve malore nga RMV ishte duke sjellë mallra të kontrabanduara në drejtim të Gjilanit. Automjeti i dyshuar është përcjellë nga njësitë e lartcekura deri tek automjeti i dytë i përfshirë në rast, i cili po priste ta pranonte mallin e lartcekur”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas njoftimit në automjetin e ndaluar është gjetur kryesisht tekstil.

“Gjatë kontrollit të realizuar në automjet është gjetur tekstil në disa thasë, kryesisht veshmbathje të ndryshme, në sasi prej gjithsej 617 copë, ku vlera e përgjithshme e mallit sipas tregut kap shifrat rreth 7000 euro (shtatë mijë euro)”, thuhet në njoftim.

Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit, me vendim të së cilës thuhet se malli së bashku me automjetin janë dërguar në terminalin doganor “Dheu i Bardhë”, ndërsa tre personat e dyshuar të përfshirë në rast janë liruar në procedurë të rregullt.

{gallery}