Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Paraburgim për tetë të pandehur për pjesëmarrje në grup kriminal

Foto: Koha / ilustrim

Është caktuar masa e paraburgimit për tetë të pandehur për veprën penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale te Republikës së Kosovës, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve A.K për shkak të veprës penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga neni 277 paragrafi 2 i KPRK-së, lidhur me veprën penale mashtrim nga neni 323 paragrafi 4 të KPRK-së dhe të pandehurve L.B, K.B, F.G, A.S, E.Z, H.K dhe L.B për shkak të veprës penale pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se të pandehurve A.K, L.B, K.B, F.G, A.S, E.Z, H.K dhe L.B iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin veç e veç, pasi që Gjykata ka konstatuar se janë përmbushur kriteret për shkak të dyshimit të bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat penale si më lartë.

Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit, pasi që në rastin konkret hetimi është në fazën fillestare dhe lënia në liri e të pandehurve paraqet rrezik real, se të njëjtit mund të shmangen nga ndjekja penale dhe të ndikojnë në dëshmitarë, kjo vepër është kryer përmes krimit kompjuterik dhe me qëndrimin në liri ekziston rreziku se të pandehurit përmes platformave të ndikojnë në dëshmi, duke shkatërruar ato apo ndikuar në to.

Palët kanë të drejtën e ankesës kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.