Kronikë

Pajisja e kundërligjshme me shtetësi kosovare të një shtetasi maqedonas, arrestohet i dyshuari i tretë

arrestim

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arritur ta identifikojë dhe ta arrestojë edhe një të dyshuar të tretë për pajisje të kundërligjshme me shtetasi të Kosovës të një shtetasi të Maqedonisë së Veriut.

Shtetasi i Maqedonisë, A.R. dyshohet se ishte regjistruar në mënyrë të kundërligjshme si shtetas i Kosovës në Komunën e Vitisë dhe kishte marrë gjitha dokumentet në këmbim të 10 mijë eurove.

Fillimisht u arrestuan A.R. dhe M.D. më 27 prill. Gjatë hetimeve u konstatua se dy të arrestuarit nuk njiheshin mesvete, kështu që nisi kërkimi për një person të tretë, që kishte ndërmjetësuar.

Pas hetimeve rreth njëmujore u gjet edhe i dyshuari i tretë Z.H., që dyshohet se ka bërë ndërmjetësimin, duke pranuar 10 mijë euro nga A.R. dhe duka ia dhënë ato të dyshuarit tjetër M.D.

Të tre akuzohen se kanë kryer veprat penale “dhënie ryshfeti”, “marrje ryshfeti” dhe “keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”.

“Sot me datën 24.05.2023 i dyshuari (Z.H.), ka qenë i arritshëm për hetuesit, i cili është intervistuar në cilësinë e personit të dyshuar në prezencë të avokatit mbrojtës, sipas detyrës zyrtare dhe pas përfundimit te intervistës me Aktvendim të Prokurorit të Shtetit, dërgohet në ndalim për 48 orë”, thuhet nga Policia e Kosovës.