Kronikë

Nuk iu mbijetoi plagëve, vdiq një person në Viti që u godit me veturë në një park

policia

Ka vdekur një person i cili të hënën mbrëma u godit me veturë teksa po qëndronte bashkë me katër të tjerë në një park të Vitisë. I njëjti për shkak të plagëve më të rënda ishte dërguar për trajtim në QKUK.

Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës, në raportin 24 orësh.

“Derisa viktima mashkull kosovar ka qenë nën tretman mjekësor, dyshohet se si pasojë e plagëve të marra, i njëjti ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës dërgohet për obduksion në IML-Prishtinë”, thuhet në raportin e policisë.

Lëndime trupore nga i njëjti sulm kishin pësuar edhe katër të tjerët, dërisa sulmuesi ishte arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se i njëjti dyshohet se me veturën e tij i ka goditur disa persona që ishin duke qëndruar në një park. Pesë persona kosovarë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor. Në vendin e ngjarjes përveç njësive policore ka dalë edhe prokurori i cili ka urdhëruar që pas inicimit të rastit i dyshuari të dërgohet në mbajtje.”, kishte njoftuar të hënë Policia e Kosovës.

Rasti ishte inicuar si “Vrasje e rëndë në tentativë”, por pas vdekjes së një personi tash po trajtohet si "Vrasje e rëndë".