Operacioni i koduar “Syri” i Gurdia di Finanzias dhe Policisë së Vlorës ka sekuestruar rreth një ton kanabis, ndërkohë që janë arrestuar pesë persona, midis tyre tre shqiptarë dhe dy ukrainas, teksa është shpallur në kërkim një tjetër person.
Droga ka pasur si destinacion Italinë.
Shqiptarët transportuan 990 kg kanabis me tre skafe në një anije me vela që i prisnin dy ukrainas, në Gjirin e Arushës.
Anija me vela më pas është nisur drejt Italisë, por nuk ka mbërritur në destinacion pasi është kapur në ujërat e bregdetit italian nga Guardia di Finanza.
Në pranga kanë rënë Arbër Saraseli, 31 vjeç, Saverjo Imeraj, 22 vjeç, Qemal Pekmezi, 19 vjeç, të cilët janë arrestuar në Vlorë. Ndërsa është shpallur në kërkim Gregor Likaj, 33 vjeç.
Nga Guardia di Finanzia janë arrestuar dy ukrainasit Bychkovi Serhii, 43 vjeç dhe Senkevych Serhii, 62 vjeç.
Policia ka sekuestruar tre skafet që u përdorën nga shqiptarët për të transportuar drogën drejt anijes me vela.
Skafet u gjetën në banesën e Saverjo Imeraj, ndërsa u sekuestrua edhe një sasi kanabisi, 3 aparate celulare dhe 2 automjete.
Në operacion janë përfshirë rreth 250 forca policore, të cilat zhvilluan kontrolle dhe ndjekje nga toka, deti dhe nga ajri me helikopter të GDF-së dhe Frontex-it.
“Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Guardia di Finanza, Drejtorinë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Delta Forcë, Departamentin për Kufirin dhe Migracionin dhe Departamentin e Policisë Kriminale, në Policinë e Shtetit, bazuar në informacionet e marra nga strukturat hetimore të Policisë së Shtetit se disa shtetas kishin transportuar drejt një mjeti lundrues, një sasi lënde narkotike, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin e koduar koduar ‘SYRI’. Kontrollet u finalizuan me bllokimin e mjetit lundrues që kishte lëndën narkotike dhe arrestimin e personave që kishin organizuar trafikimin e saj. Shtetasit e arrestuar në Vlorë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 07.08.2022, rreth orës 15:00, dyshohet se kanë transportuar lëndën e dyshuar narkotike marijuanë, me 3 skafe drejt një mjeti tjetër lundrues, në thellësi të ujërave të detit Jon dhe më pas e kanë nisur atë drejt Italisë. Si rezultat i zhvillimit të operacionit të përbashkët, nga autoritetet e Guardia di Finanza është kapur në ujërat italiane, mjeti lundrues me të cilin transportohej lënda narkotike. Shërbimet e GDF-së, gjatë kontrollit në bordin e mjetit lundrues, kanë sekuestruar një sasi prej 992 kg lëndë të dyshuar narkotike marijuanë, e ndarë në 153 pako”, thuhet në njoftimin e Policisë.