Kronikë

Një kosovar po drejtonte veturën në Rrugën e Kombit me 191 km/h, gjobitet nga Policia

Një kosovar me banim në Angli, është kapur duke drejtuar veturën e tij të markës Jaguar me shpejtësi 191 kilometra në orë në Rrugën e Kombit.

Drejtuesi i automjetit, E.B. është gjobitur me 40 mijë lekë të rinj (rreth 330 euro), ka njoftuar Policia e Shqipërisë.

“Gjatë 24 orëve janë konstatuar shumë drejtues mjetesh që kanë tejkaluar shpejtësinë më shumë se dyfishi i normës së lejuar. Në Rrugën e Kombit, në drejtimin e lëvizjes Kukës-Rrëshen, nga Njësia Operacionale e Policisë Rrugore është konstatuar me radar shtetasi kosovar E. B., rezident në Angli, duke qarkulluar me një mjet “Jaguar”, me shpejtësi 191 km/orë. Ky drejtues u ndëshkua me masë administrative 40.000 lekë të rinj. Shpejtësi të larta janë konstatuar nga shtetas të tjerë kosovarë, rezidentë në Zvicër, Angli e vende të BE-së, që qarkullonin me shpejtësi deri në dyfishin e normës së lejuar, në Bypass-in e Fierit dhe në Tiranë-Durrës-Kavajë. Përgjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar në flagrancë 14 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 7 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 7 për drejtim mjeti në gjendje të dehur. Janë pezulluar 56 leje drejtimi, nga të cilat 36 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 20 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur. Janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 2019 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës”, thuhet në njoftimin e Policisë.