Një vajzë rreth 20-vjeçare është lënduar si pasojë e goditjes nga materiale që kanë rënë nga kulmi i ndërtesës së Komunës së re në Prishtinë.
Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin dhe ka thënë se ka nisur punën për zbardhjen e të gjitha rrethanave.
“Rreth orës 13:00, është raportuar se në rrugën ‘Nora e Hotit’ në Prishtinë, një person ka marrë lëndime si pasojë e goditjes nga materiale që janë shkëputur nga çatia e një objekti. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në informacionet e para është raportuar për një person të lënduar, femër, e cila është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, ka thënë Policia për KOHËN.
Klinika Emergjente ka thënë për KOHËN se viktima është pranuar me lëndime në kokë dhe se është në gjendje stabile.
"Ju konfirmojmë se një paciente 23 vjeçare është duke u trajtuar në Klinikën Emergjente, me gjendje stabile por me lëndime të rënda trupore. Ekipi emergjent dhe ai klinikave diagnostike ka kryer disa nga ekzaminimet e nevojshme dhe pacientja do të jetë në mbikqyrje mjekësore. Pas 4 orëve pritet t'i kryhen ekzaminime shtesë diagnostike dhe të transferohet për trajtim të mëtejmë në Mjekimi Intensiv Qendror", ka thënë zëdhënësi i SHSKUK-së, Shpend Fazliu.
Prokuroria ka iniciuar hetime fillimisht në drejtim të veprës penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes e bashkë me njësitë relevante dhe me urdhër të njëjtit janë iniciuar hetime fillimisht në drejtim të veprës penale ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’. Prokuroria në koordinim me policinë kanë filluar me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore lidhur me këtë rast, nga i cili sipas informatave që kemi deri më tani ka marrë lëndime trupore një person (femër)”, ka thënë zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Laureta Ulaj.
Brenda Komunës së Prishtinës e kanë konfirmuar se ka qenë duke u punuar në katin e fundit, por kanë shtuar se punimet kanë qenë në dysheme e jo në kulm të objektit të Komunës së Prishtinës.
Ndërkohë drejtori për siguri dhe emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, ka thënë se në momentin e rrëzimit të kulmit të ndërtesës së Komunës, nuk kanë qenë duke u zhvilluar punime në atë kat të ndërtesës.
“Nuk ka pasur punime në atë kat të ndërtesës, në momentin kur ka ndodhur rrëzimi nuk kanë qenë duke u zhvilluar punime”, është shprehur Fushtica në një deklarim për media.
Ai ka thënë se rrëzimi mund të ketë ndodhur si pasojë e erërave, por kur është pyetur se pse nuk është dërmuar asnjë ndërtesë tjetër aty përreth, ai ka thënë se nuk mund të paragjykojë dhe se hetimet do të tregojnë se si dhe çfarë ka ndodhur.
“Sipas të gjitha gjasave si pasojë e erërave të forta që kanë ndodhur ka ardhur deri te rrëzimi. Hetimet janë në fazën preliminare, nuk mund të them asgjë më shumë, nuk mund të paragjykoj, Policia dhe inspektorët e emergjencave janë duke e kryer punën e tyre”, ka theksuar Fushtica.
Ai ka thënë se kjo ndërtesë është ndërtuar në vitin 2009 por ka thënë se nuk ka informata nëse kulmi i saj është rrëzuar edhe një herë më herët.
ka theksuar se nuk kanë informata për dëmet e tjera të shkaktuara nga rënia e çatisë.
Një pjesë e rrugës është bllokuar nga Policia për qarkullim të automjeteve.
{gallery}