Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Në Viti parandalohet një kontrabandë me kafshë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të martën në rrugët malore që lidhen me fshatin Kabash të Vitisë, është parandaluar një rast i kontrabandës me kafshë.

Policia e Kosovës ka thënë se tre persona nga komuna e Vitisë, dyshohet se kanë sjellë në këmbë nëntë muaj dhe një gomar nga fshati Tanush i Maqedonisë së Veriut.

Siç ka bërë të ditur Policia të tre kanë devijuar rrugën Mjak – Binqë, për t’iu shmangur patrullave policore, duke vazhduar në rrugën malore.

“Më datë 25.04.2023, rreth orës 14:30, Njësitet e Task Forcës nga Drejtoria Rajonale e Policisë Kufitare Lindje kanë identifikuar disa persona të dyshuar duke i sjellë në këmbë disa kuaj nga fshati Tanush Republika e Maqedonisë veriore, përmes rrugëve ilegale. Dy personat dhe përcjellësi i tretë (të dyshuarit) meshkuj kosovar nga komuna e Vitisë, pas tentimit për t’iu shmangur patrullave policore kanë devijuar rrugën Mjak-Binqë duke vazhduar rrugëve malore që lidhen me fshatin Kabash-Viti, por është arrit të ndalohen nga Policia duke i kontrabanduar nëntë (9) kuaj dhe një (1) gomar. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar, Dogana e Kosovës dhe AUV-i. Me urdhër të prokurorit kafshët sekuestrohen dhe dërgohen në terminalin doganor për procedim të mëtejmë të rastit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.