Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Në Ferizaj arrestohen disa të dyshuar për vjedhje të drunjve

Bazuar në planin operativ “Mbrojtja e pyjeve 2019”, njësitet policore të Stacionit Policor të Ferizajt të mbështetura nga Njësia për reagim të shpejtë, sot më 28.08.2019, në orët e hershme të mëngjesit, kanë vazhduar me angazhimin tyre të filluar kohë më parë lidhur me parandalimin e vjedhjeve të pyjeve dhe transportimit ilegal të drunjve, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Falë informatave të siguruara nga tereni Policia e Kosovës në malet e fshatit Jerzerc, deri tani ka arrestuar disa persona të kapur në flagrancë duke prerë drunj në mënyrë ilegale.

Janë informuar Inspektorët e Ministrisë së Bujqësisë-Agjencioni Pyjor i Kosovës, të cilët do të vazhdojnë procedurat ligjore lidhur me këtë rast.

“Apelojmë te qytetarët që mos të furnizohen me dru nga personat të cilët nuk posedojnë dokumentacionin përkatës lidhur me këtë veprimtari. Për rezultatet konkrete të këtij operacioni, do të njoftoheni pas përfundimit të planit operativ”, thotë PK.