Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Ministri Xhafaj deklarohet për vdekjen e shoferit të tij

15:43 - Vetëm pak orë pasi Shkëlzen Qordja, punonjës i Gardës së Republikës dhe shofer i ministrit të Brendshëm, u gjet i vetëvrarë në makinë, ka ardhur edhe reagimi i Fatmir Xhafajt.

Ky i fundit thotë se është i shokuar nga lajmi për humbjen e atij, që e quan pjesë të familjes së tij, ndërsa kërkon respekt dhe durim deri në hetimin e plotë të ngjarjes.

“Jam i shokuar dhe nuk gjej fjalë të ngushëlloj prindërit dhe gjithë familjen e Shkëlzenit për humbjen tragjike të jetës së tij. Kjo ngjarje e rëndë ka shkaktuar një dhimbje të fortë njerëzore për mua dhe për të gjithë ata që punuan dhe e njohën nga afër atë. Nuk është dita sot për mua që të bëj politikë dhe as e ndaloj dot që politika të vazhdojë të merret me mua sot”, ka thënë Xhafaj.

“Kam humbur krejt papritur një njeri të afërt, i cili si dhe gjithë familja e tij, ishte bërë si pjesë e familjes sime. Nuk kam asnjë koment për rrethanat e ndarjes së tij nga jeta, sepse prokurorët dhe ekspertët përkatës po punojnë ndërkohë për sqarimin e tyre. Nëse nuk kam se si u kërkoj hienave politike të mos sulen mbi të vdekurin, u lutem mediave që kanë sadopak ndjenjë njerëzore të respektojnë dhimbjen e prindërve, vëllezërve, të afërmve e miqve të tij”, tha Xhafaj në deklaratën e tij publike.


Gjendet i vdekur në makinë shoferi i ministrit të brendshëm shqiptar

Një punonjës i Gardës së Republikës është gjetur i pajetë në makinë rreth orës 9:30 të mëngjesit të kësaj të shtune, me një plumb në kokë në garnizonin e Gardës, brenda garazhit të caktuar për mjetet e Ministrisë së Brendshme.

31-vjeçari Shkëlzen Qordja, me detyrë funksionale shofer i ministrit të Brendshëm, është konstatuar nga punonjës të Gardës, ndërsa nga dyshimet e para mendohet të ketë qëlluar mbi veten, raporton TCh. Arsyet nuk dihen ende, ndërsa burime thanë se në makinë është gjetur edhe një pistoletë.

Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, që po punon për të qartësuar rrethanat e ngjarjes së rëndë. Ndërkohë, nga policia sqarohet se viktima nuk ka qenë i pezulluar nga detyra.

Artikuj të ngjashëm