Zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi, ka thënë se ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duhet të japë dorëheqje, pas vrasjes së gruas shtatzënë në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë. Duke përshëndetur suspendimin e zyrtarëve policorë, të dyshuar për moskryerje të detyrës në këtë rast, Halimi ka thënë se “bashkë me ta duhet të shkojë edhe eprori i tyre”.
Të shtunën, Sveçla ka njoftuar se katër zyrtarë policorë janë suspenduar për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “falsifikim të dokumentit zyrtar”, në rastin e 35-vjeçares që u vra nga bashkëshorti me të cilin ishte në proces të ndarjes.
Megjithatë, sipas Halimit, edhe Sveçla duhet të largohet nga detyra e tij. Ajo ka thënë se shteti ka dështuar ta mbrojë viktimën si dhe ka shtuar se ngjarja s’mund të kalojë pa dorëheqje në krye të zinxhirit komandues.
“Zinxhiri i shkarkimeve duhet të shkojë deri në fund. Është padyshim lajm i mirë suspendimi i zyrtarëve policorë që nuk e kryen detyrën, zbatimin e urdhrit të mbrojtjes për gruan e ekzekutuar mizorisht në oborrin e QKUK-së. Mirëpo kjo nuk mjafton. Bashkë me ta, duhet të shkojë edhe eprori i tyre, Ministri i Brendshëm. Kjo duhet të ndodhë së paku si akt moral, nëse jo për tjetër”, ka shkruar Halimi në Facebook. “Gruaja që u privua nga jeta bashkë me foshnjën e saj, ishte e shtrirë në një institucion publik shëndetësor. Pra, ishte nën përkujdesjen e shtetit që dështoi ta mbronte atë. Ky dështim i pafalshëm dhe me pasoja fatale, nuk mund të kalojë me disa dorëheqje në fundin e zinxhirit komandues, pa ndodhur ato edhe në krye të tij”.
35-vjeçarja H.M. u vra në javën e 41-të të shtatzënisë. Aktin e kreu bashkëshorti i saj, që pas lokalizimit nga Policia, e vrau veten. Pas ngjarjes, nga familjarët u rrëfye se viktima ishte maltretuar fizikisht edhe më herët nga i dyshuari. Familjarë të së ndjerës i kanë thënë KOHËS se ajo i ishte nënshtruar dhunës fizike e psikike nga bashkëshorti, për çka rasti ishte iniciuar në Polici. Ajo u vra derisa ishte në prag të lindjes, ndonëse pati urdhër mbrojtjeje nga gjykata.
-
Sveçla kërkon nga IPK-ja t'i fillojë hetimet ndaj policëve që u morën me rastin e gruas shtatzënë
-
Sveçla e akuzon aktivistin e LDK-së për shkelje të heshtjes zgjedhore, partia i përgjigjet
-
Sveçla: IPK-ja t'i hetojë lëshimet e Policisë në veprimtarinë kriminale të Mefail Shkodrës
-
Sveçla kërkon nga IPK-ja të jetë edhe më e vendosur në “pastrimin” e Policisë
-
PDK-ja kërkon dorëheqjen e Sveçlës pas vdekjes së Agon Zejnullahut