Kronikë

Luftoi për ISIS-in në Siri, gjykata e dënon me pesë vjet burgim

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me pesë vjet burgim të akuzuarin M.D. për veprën penale “organizim dhe pjesëmarrje në grup terrorist”.

Të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

M.D. i ishte bashkëngjitur organizatës terroriste ISIS në Siri më 2013 dhe kishte qëndruar aty deri më 2017.

“Gjykata ka konstatuar se i akuzuari M.D me qëllim që t’i bashkëngjitet grupit terrorist në Siri, nga muaji mars të vitit 2013, me dëshirë, me vetëdije dhe me paramendim kishte udhëtuar përmes rrugëve të ndryshme për në qytetin e Stambollit në Turqi, ku në fillim kishte qëndruar disa muaj në lagjen Kadëkej të Stambollit dhe pas një kohe së bashku me familjen e tij ishin vendosur në Kilis të Turqisë, afër kufirit me Sirinë, prej nga ilegalisht kishin arritur në qytetin Gaziantep dhe pastaj i ishte bashkëngjitur organizatës terroriste ISIS, organizatë kjo që kishte vepruar në Siri dhe Irak. I akuzuari M.D ishte pajisur me armë dhe municion ku ky grup kishte shkaktuar viktima të njerëzve të pafajshëm në ato vende dhe i pandehuri kishte qëndruar në Siri deri në gusht të vitit 2017, derisa ishte tërhequr nga këto organizata dhe ishte dorëzuar tek autoritetet turke dhe i njëjti kishte kërkuar që të kthehet në Kosovë, me çka eprorët përkatës i kishin mundësuar kthimin në Kosovë”, sipas njoftimit të Gjykatës.