Kronikë

Konfiskohen 80 mijë copë cigare të kontrabanduara në autobusin e linjës Serbi - Kosovë

Cigaret e kontrabanduara

Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se janë konfiskuar 80 mijë copë cigare të kontrabanduara, që ishin fshehur në një autobus që qarkullonte në linjën Serbi – Kosovë. Autobusi ishte ndaluar në Mitrovicë. 

Dogana ka bërë të ditur se gjatë kontrollit fillestar në orët e vona të mbrëmjes të së dielës, në sistemin e ajrosjes së njërit autobus u has sasi e konsiderueshme e cigareve pa bandeorla. 

Pas kontrolleve të detajuara u zbulua një “bunker” për fshehje mallrash, ku kishte cigare pa banderola. E po ashtu cigare tjera të kontrabanduara u zbuluan në tualetin e autobusit. 

“Njësitet Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, në qytetin e Mitrovicës, kanë ndaluar për kontroll dy autobusë që qarkullonin në linjën Serbi–Kosovë. Gjatë kontrollit fillestar, në orët e vona të mbrëmjes, për shkak të kushteve të kufizuara për inspektim të detajuar, në sistemet e ajrosjes së njërit prej autobusëve u has në një sasi të konsiderueshme cigare pa banderola. Kontrollet e detajuara janë vazhduar më tutje ku në një hapësirë të posaçme (“bunker”) për fshehje mallrash, si dhe në tualetin e autobusit, janë zbuluar edhe cigare të tjera të kontrabanduara. Në total janë gjetur dhe konfiskuar 80,000 copë cigare, të gjitha pa banderola, të cilat dyshohet se ishin destinuar për tregun e brendshëm të Kosovës në kundërshtim me ligjet në fuqi. Rasti është proceduar për hetime të mëtutjeshme në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore”, ka njoftuar Dogana e Kosovës.