Prokuroria Themelore në Gjilan ka ndaluar të dyshuarit V.H. dhe G.A. për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “Vetëgjyqësia” dhe ka kërkuar masën e paraburgimit.
Sipas një njoftimi nga kjo prokurori, “ekziston dyshimi i bazuar se, më 01-02 dhjetor 2018, në Gjilan, të dyshuarit me dashje, me anë të përdorimit të forcës dhe kanosjes serioze, si dhe me anë të ushtrimit në mënyrë arbitrare të një të drejte që mendonin se u takon, në vend se t’i drejtohen organit kompetent, me qëllim të realizimit të një borxhi në shumë prej 28.000 (njëzetetetë mijë) euro, kanë shkuar në shtëpinë e të dëmtuarit A.A., me ç’rast aty nga nëna e tij, me këmbëngulje kërkonin borxhin, të cilin pretendonin se ua kishte i dëmtuari dhe nën kërcënimin e fjalëve e kërkojnë të njëjtin, ku në një moment fillojnë ta shtyjnë me duar të dëmtuarën, të cilën edhe e rrëzojnë në tokë”.
Nuk shlyen borxhin në bastore, borxhlinjtë i shkojnë në shtëpi
Prokuroria thotë se të dyshuarit që nga fillimi i muajit nëntor, kanë ushtruar presion në familjen e të dëmtuarit, për inkasimin e borxhit.
Në fund të njoftimit thuhet se është nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve, me qëllim të ndriçimit të kësaj çështje.