Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Kërkohet paraburgim 30 ditë ndaj gjilanasit që tentoi ta sulmonte babanë e paralizuar

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj N.B. që dyshohet se kishte tentuar ta sulmonte babanë e tij më 1 janar.

N.B. dyshohet se më 1 janar, rreth orës 21:00, në Gjilan, me dashje dhe nën ndikim të alkoolit kishte tentuar të përdorte forcë ndaj babait të tij, R.B.. I dyshuari ishte kthyer në shtëpi në gjendje të dehur dhe fillimisht kishte thyer disa gjëra, ndërsa kishte tentuar ta godiste me një tastierë babanë e paralizuar, derisa kanë ndërhyrë familjarët tjerë që e kanë penguar.

“Prokuroria, sot ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, në Gjykatën kompetente në Gjilan, pasi që ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, për shkak që i njëjti edhe më parë kishte shkaktuar probleme në familje, si dhe ndikimi tek dëshmitarët dhe nëse do të qëndronte në liri do të pengonte rrjedhën normale të zhvillimit të mëtejmë të procedurës penale”, thuhet në njoftim.