Gjykata Themelore në Prizren ia ka caktuar një muaj paraburgim të dyshuarit për vrasjen e nënës së tij në Dragash.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, duke marrë parasysh mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohen se është kryer vepra.
"Gjithashtu duke marrë parasysh edhe karakteristikat personale të të pandehurit, i dënuar më herët për vepra të ngjashme ku palë e dëmtuar ka qenë pikërisht viktima T.B., si dhe me qëllim të mbarëvajtjes së procedurës penale, ndaj të pandehurit do të urdhërohet ekzaminimi psikiatrik, Gjykata ka ardhur në përfundim se caktim i paraburgimit është i domosdoshëm për të siguruar prezencën e tij në procedurën hetimore e cila është në fazën fillestare", thuhet në njoftimin e gjykatës.
Gjithashtu, gjyqtarja e procedurës paraprake më 22 janar ka lëshuar urdhër për QKUK-në, Institutin e forenzikës psikiatrike, të kryejë ekzaminim psikiatrik, në një kohë sa më të shpejtë që të jetë e mundur, por jo më gjatë se afati prej dy javësh nga dita e lëshimit të urdhëresës.
Kërkohet paraburgim për të dyshuarin për vrasjen e nënës në Dragash
Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj F.B., i dyshuar për vrasjen e nënës në Dragash.
Ai ndodhet në ndalim 48 orësh dhe dyshohet për verpën penale “Vrasje e rëndë”.
“Sipas kërkesës së prokurorisë, i dyshuari F.B., më datë 20.01.2026, në fshatin Restelicë- Komuna e Dragashit, në shtëpinë e tij familjare ku jetonte së bashku me viktimën, me dashje privon nga jeta nënën e tij, viktimën T.B., në atë mënyrë që fillimisht e godet me grushte në pjesë të ndryshme të trupit dhe më pas e shtrëngon për fyti me duar, me ç’rast viktima nga lëndimet e marra ndërron jetë në vendin e ngjarjes. Me këto veprime, i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Të mërkurën drejtori i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Faton Alija, ka thënë se në shtëpinë ku ka ndodhur ngjarja nuk janë gjetur mjete të forta apo armë, por te viktima janë hasur lëndime trupore.
“Dyshimet janë që me ndonjë konfrontim me duar të thata ka ardhur deri te lëndimet me pasoja - vdekjen. Vlen të theksohet se familja është katër anëtaresh, por në momentin kritik kur ka ndodhur ngjarja apo incidenti në familje ka qenë vetëm viktima apo nëna dhe djali”, ka deklaruar Alija.
Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se i dyshuari ka qenë tri herë i dënuar me kusht. Në dy raste për veprën penale lëndim i lehtë trupor dhe në një për dhunë në familje.