Një person i dënuar tri herë për dhunë në familje dhe lëndim të lehtë trupor dyshohet se të mërkurën e ka vrarë nënën e tij në fshatin Restelicë të Dragashit. I dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë
Një 30-vjeçar dyshohet se ka vrarë nënën e tij të mërkurën në fshatin Restelicë të Dragashit.
Drejtori i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Faton Alija, ka thënë se në shtëpinë ku ka ndodhur ngjarja nuk janë gjetur mjete të forta apo armë, por te viktima janë hasur lëndime trupore.
“Dyshimet janë që me ndonjë konfrontim me duar të thata ka ardhur deri te lëndimet me pasoja - vdekjen. Vlen të theksohet se familja është katër anëtaresh, por në momentin kritik kur ka ndodhur ngjarja apo incidenti në familje ka qenë vetëm viktima apo nëna dhe djali”, ka deklaruar Alija.
Gjatë ditës Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se i dyshuari ka qenë tri herë i dënuar me kusht. Në dy raste për veprën penale lëndim i lehtë trupor dhe në një për dhunë në familje.
E në dy nga këto vendime, gjykata e kishte obliguar Qendrën për Shëndet Mendor në Prizren që ta pranojë për trajtim tashmë të dyshuarin dhe të dërgojë raporte periodike në gjykatë.
Për psikologun klinik Ilir Havolli, sistemi korrektues në Kosovë është i dizajnuar për siguri publike dhe jo për trajtim, rehabilitim dhe riintegrim.
Edhe pas vuajtjes së dënimit, Havolli konsideron se hallka të rëndësishme janë të shkëputura, duke e lënë individin pa vazhdimësi trajtimi dhe pa mbështetje pas lirimit.
“Pas lirimit apo transferimit shpesh trajtimi ndërpritet pa ndonjë mekanizëm të qartë të mbështetjes komunitare. Pastaj kemi koordinimin institucional ku shërbimi shëndetësor, shërbimi korrektues, shërbimi social dhe familja shpesh funksionojnë si të ndara, pa shkëmbim efektiv të informacionit dhe pastaj kemi edhe mungesën e resurseve dhe kapaciteteve profesionale”, ka theksuar Havolli.
Prokuroria Themelore në Prizren ka marrë vendim për ndalim prej 48 orëve për të dyshuarin me inicialet F.B.