Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Fisnik Asllani: Kemi mundësinë t’i rregullojmë gjërat shumë shpejt

FISNIK ASLLANI

Sikur Hoffenheimi të shënonte i pari në ndeshjen ndaj Werder Bremenit, do të fitonte në fund. Këtë ndjenjë e kishte Fisnik Asllani në fushë.

Por Werderi i shënoi dy gola për fitore 2:0 të shtunën. Ndeshja i takoi xhiros së tetë të Bundesligës. 

Sulmuesi Asllani dhe mesfushori Leon Avdullahu startuan te Hoffenheimi, ndërsa luajtën deri në minutën e 87-të. Kësaj skuadre i mungon Albian Hajdari për shkak të lëndimit.

“Ishte thjesht çështje se kush do ta shënonte golin e parë. Kushdo që do ta bënte, do të fitonte. Kjo ishte ndjesia ime në fushë dhe kështu ndodhi. Këto javë, me ndeshje edhe gjatë mesjavës, janë shumë intensive, si fizikisht ashtu edhe mendërisht. Por ky nuk është justifikim. Kur shënoi Niclas Fullkrug përshtypja ime e parë ishte se kishte faull, pasi ai përdori duart për të shtyrë. Por në fakt e menaxhoi shumë mirë situatën”, ka theksuar Asllani.

Hoffenheimi në mesjavë luajti për Kupë të Gjermanisë dhe u eliminua nga Holstein Kiel. Tani luan ndaj Crystal Palace në Ligën e Evropës.

“Nuk mendoj se bëmë ndeshje të keqe. Me pak fat mund të kishim kaluar në avantazh dhe ndeshja do të kishte rrjedhë tjetër. Në një moment, topi u largua pikërisht nga vija e portës. Është përfundim i hidhur për ne. Tani duhet të japim më të mirën ndaj Crystal Palace. Është ndeshje e madhe, të cilën të gjithë e presim me padurim. Kjo është ana pozitive e këtyre javëve të ngjeshura – kemi mundësinë t’i rregullojmë gjërat shumë shpejt”, ka theksuar sulmuesi kosovar, Asllani.

Hoffenheimi ka tri fitore e pesë humbje në Bundesligë. Është në mesin e tabelës.