Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Kërkohet paraburgim për pesë të dyshuar, vrasja në Gjilan ndodhi për shkak të një borxhi

Foto ilustrim

Foto ilustrim

Prokuroria Themelore në Gjilan, ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, në afat prej 30 ditësh, në Gjykatën Themelore në Gjilan, kundër të pandehurve V.H., E.N., R.I., A.S. dhe B.K., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’Vrasja e rëndë’’.

“Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se më 08 Nëntor 2021, rreth orës 20:40 minuta, në lagjen ‘Arbëria’, në Gjilan, afër shtëpisë së të ndjerit E.R., pas një mosmarrëveshje rreth një borxhi në të holla në mes të pandehurve, të pandehurit me dashje kanë privuar nga jeta tani të ndjerin E.R., në atë mënyrë që të pajisur me dy lloje të armëve të zjarrit, kanë gjuajtur shtatë (7) herë në drejtim të njërit tjetrit, ku nga shkëmbimi me armë zjarri ka mbetur i vdekur i ndjeri E.R., ndërsa plagë të rënda trupore ka pësuar edhe i pandehuri V.H., i cili ka kërkuar ndihmë mjekësore në QKUK, në Prishtinë”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Nënkoloneli në stacionin policor në Gjilan, Remzi Azemi, në emisionin "60 Minuta" ka thënë se nuk kanë indikacione që në incidentin ku ka mbetur i vrarë një person, ka të përfshirë persona të tjerë, përveç 5 të arrestuarve. Azemi ka thënë se nga hetimet e deritanishme kanë ardhur në përfundim se janë përdorur dy armë zjarri. Për të tjera detaje ai ka thënë se duhet të pritet rezultati përfundimtar i hetimeve.