Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Kërkohet paraburgim për njërin nga mjekët e Spitalit të Vushtrrisë, tjetri lirohet në procedurë të rregullt

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin E.S., mjek në Spitalin e Vushtrrisë “Sheikh Zayed”, i dyshuar për marrje ryshfeti.

Lajmin e ka konfirmuar për Kohën, Valon Preteni, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.

Preteni tha se është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit për këtë të dyshuar, ndërsa pritet që seanca paraprake të mbahet të mërkurën në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Ai shtoi se i dyshuari A.L. është liruar, derisa i dyshuari i tretë I.Z. është ende në kërkim policor.

“I ndaluari tjetër me iniciale A.L., është liruar dhe për të njëjtin do të vendoset në procedurë të rregullt, ndërkaq personi i tretë për këtë rast me iniciale I.Z., nuk është intervistuar ende pasi që ende nuk është arrestuar”, ka thënë Preteni.