Katër persona, dy vajza të moshave nën 18-vjeçe dhe dy persona rreth moshave 29-vjeçare janë sulmuar me thikë nga një person në Ferizaj të hënën
Policia e Kosovës i ka thënë KOHËS se sulmi është kryer në rrugët “Enver Topalli”, “Halim Spahija” dhe “Ejup Statovci”, ku viktimat kanë qenë kalimtarë rasti, derisa Njësia e Reagimit të Shpejtë ka arritur që të dyshuarin E.S., 59-vjeçar, ta arrestojë.
Ai është dërguar për në stacionin policor, derisa dy të lënduar janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, e dy të tjerë në Ferizaj.
“Ekipe të shumta të policisë, përfshirë edhe Njësinë e Reagimit të Shpejtë kanë nisur kërkimin e personit të dyshuar. Pas një pune intensive të kërkimit, rreth orës 16:40 kanë arritur që në rrugën ‘Besim Rexhepi’ në afërsi të qendrës tregtare ‘Plus Market’ të arrestojnë të dyshuarin E.S ( M/K) i moshës rreth 59-vjeçar, i cili nën masa të sigurisë është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj”, thuhet në njoftimin policor.
Hetuesit dhe krimteknikët rajonalë po ekzaminojnë vendet e incidentit, derisa thika që dyshohet se është përdorur është gjetur.
Drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla, ka thënë se në klinikë po trajtohen tre persona.
“Dy prej tyre janë në gjendje stabile, ndërsa një në gjendje më të rëndë”, ka thënë Syla për KOHËN.
Sulmi me thikë në Ferizaj, gjendja e vajzës 10-vjeçare është stabilizuar
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se është stabilizuar gjendja e vajzës 10-vjeçare që është një nga katër të plagosurit në sulmin e të hënës me thikë në Ferizaj.
Vitia ka thënë se falë intervenimit të mjekëve është shpëtuar jeta e vajzës, ndërsa ai ka thënë se në sulm dy persona kanë mbetur të plagosur rëndë. Vitia ka thënë se një nga personat është duke u trajtuar, reanimuar dhe rehabilituar, ndërsa nuk ka përjashtuar mundësinë që të duhet t’i nënshtrohet operimit edhe ai.
“Na lajmëruan për rastin që ka ndodhur në Ferizaj, ku një person ka plagosur 4 persona. Dy prej tyre në gjendje të rëndë. Një vajzë e cila ka qenë jashtëzakonisht rëndë, pas intervenimit nga mjekët, e futjen në sallë të operimit, gjendja e saj është stabile tash dhe jashtë rrezikut për jetë. Personi tjetër është në gjendje më të rëndë. Është duke u trajtuar, reanimuar dhe rehabilituar në Klinikën Emergjente. Mund të ndodhë të ketë nevojë edhe ai për intervenim kirurgjik. Një tjetër person është transferuar në Klinikën Maksilofaciale, gjendja është stabile. Një tjetër person ka marrë ndihmën e parë në Spitalin e Ferizajt.
Gjendja është stabile dhe është lëshuar në shtëpi”, ka thënë Vitia, që ka falënderuar mjekët për intervenimin e shpejt.
E ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka falënderuar po ashtu mjekët për intervenimin e shpejt. Ai ka thënë se agresori është arrestuar dhe me të po merren hetuesit policorë.
E drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka thënë se janë në gatishmëri mjekët në rast se ka nevojë të ndërhyhet edhe te personi i dytë.
Reagon kryetari i Ferizajt pas sulmit me thikë me 4 të plagosur
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se është i tronditur nga sulmi me thikë të hënën gjatë të cilit u plagosën katër persona, përfshirë dy të mitur.
Tre persona janë dërguar për trajtim në QKUK, ndërsa një vajzë 10-vjeçare është në gjendje të rëndë, si pasojë e sulmit me thikë të hënën në Ferizaj. I dyshuari, E.S. 59-vjeçar, është arrestuar. Sulmi u krye në tri rrugë të ndryshme, ndërsa viktimat ishin kalimtarë të rastit.
“Tronditës, lajmi për therjen e 4 qytetarëve - kalimtarë rasti në Ferizaj, dy prej të lënduarve të moshës minore e dy të tjerë të moshës madhore. Kryesi i këtij akti kriminal, brenda pak minutave është vënë nën prangat e Policisë. Tani drejtësia do të thotë fjalën e saj. Lutemi për shërimin e shpejt të të lënduarve! Përgëzime Policisë së Kosovës në Ferizaj për reagimin e shpejt e me profesionalizëm të lartë, duke shmangur zgjerimin e mëtejmë të këtij akti kriminal”, ka shkruar Aliu në Facebook.
Sulmi me thikë në Ferizaj, një 10-vjeçare në gjendje të rëndë
Një vajzë 10-vjeçare është në gjendje të rëndë dhe është dërguar në sallën e operimit në Emergjencë në QKUK pas sulmit me thikë në Ferizaj të hënën.
Në sulmin me thikë janë plagosur katër persona, përfshirë dy të mitura. Është arrestuar një 59-vjeçar.
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka thënë se në klinikë janë sjellë tre persona për t’u trajtuar, ndërsa dy janë në gjendje stabile e një në gjendje më të rëndë.
Ai ka thënë për KOHËN se një vajzë 10-vjeçare është dërguar në sallën e operimit në gjendje më të rëndë.