Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Kapet në Morinë një person që po kërkohej ndërkombëtarisht

Është arrestuar një person në hyrje të pikëkalimit kufitar Morinë i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar.

I arrestuari ishte banor i Kosovës, sipas njoftimit të Policisë së Shqipërisë.

“Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas ka rezultuar person në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ëiesbaden, Gjermani, pasi Gjykata e Hanover, Gjermani, me vendimin e datës 12.07.2018, i ka caktuar masën e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprat penale ‘Shkelja e ligjit të narkotikëve’, ‘Shkelja e ligjit mbi armët’ dhe ‘Vjedhja në kuadër të grupit kriminal’, parashikuar nga legjislacioni penal i Gjermanisë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia ka sqaruar se personi dyshohet se gjatë muajve janar dhe shkurt të vitit 2018, në cilësinë e pjesëtarit të një grupi kriminal, është përfshirë në disa vjedhje në banesa dhe në biznese në Hanover, Gjermani.

“Gjatë kontrollit në banesën e tij, në vitin 2018, janë gjetur municion luftarak dhe një sasi lënde narkotike kokainë”.

Ndërkohë, i dyshuari do të ekstradohet në Gjermani.