Kronikë

I dyshuari vdiq në stacionin policor, IPK-ja rekomandon suspendimin e tre zyrtarëve

Policia

Foto: Ilustrim

Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë, një rreshter dhe dy zyrtarë – të tre punonjës në punonjës në Stacionin Policor në Suharekë.

Kërkesa për suspendim të përkohshëm mbështetet në rrethanat e krijuara nga vdekja tragjike e një të ndaluari si i dyshuar për një rast të dhunës në familje e i cili sipas të dhënave dhe hetimeve preliminare, dyshohet se është vetë-ngulfatur brenda dhomës së ndalimit në stacion policor, thuhet në komunikatën e IPK-së. 

“Bazuar në pozitat dhe përgjegjësitë konkrete të zyrtarëve në fjalë, dhe nga veprimet e ndërmarra hetimore, në këtë fazë ekziston dyshimi i arsyeshëm se me veprimet apo mosveprimet e tyre nga zyrtarët policorë mund të ketë pasur neglizhencë të mundshme në përmbushjen e detyrave zyrtare, veçanërisht në aspektin e garantimit të sigurisë së personit të ndaluar”, thuhet në komunikatë.

Ndërkaq kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, ka thënë se po kryejnë hetime për vdekjen e të ndaluarit për një rast të dhunës në familje.

“Ne në orët e hershme të mëngjesit kemi marrë informatën prej Policisë që një person në qendrën e ndalimit në Suharekë dyshohet që ka kryer vetëvrasje. Ka të bëjë me një person për të cilin prokurori kujdestar i Departamentit të Përgjithshëm mbrëmë e ka ndaluar për vepër penale të “Dhunës në Familje”, që dyshohet që ka ushtruar dhunë në familje ndaj vajzës së tij. Për Prokurorinë ka qenë person i njohur dhe për organet e ndjekjes sepse ka pasë edhe vepra penale edhe në të kaluarën, madje edhe për vepra penale të “Dhunës në Familje”. Ajo që dyshohet faktikisht është siç e thashë se ka kryer vetëvrasje dhe ne kemi hapur hetime dhe jemi duke vepruar në drejtim të hetimit të vdekjes së tij. Në vend të ngjarjes ka dalë prokurori i krimeve të rënda, kanë dalë njësitet relevante, forenzika dhe rastin jemi duke e trajtuar dhe duke e hetuar bashkë me Inspektoratin Policor”, ka thënë ai në një përgjigje për KOHËN.