Prokuroria Themelore në Prizren, të enjten, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër inspektorit të ndërtimtarisë të Komunës së Prizrenit, me inicialet N.M. për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, shkruan sot “Koha Ditore”.
Departamenti i Krimeve të Rënda i kësaj prokurorie akuzon këtë zyrtarë për mospërmbushje të detyrave të tyre në raport me mbindërtimet pa leje në dy ndërtesa të ndryshme.
“Sipas aktakuzës, i akuzuari N.M. në periudhën kohore prej vitit 2016-2017 në Prizren, në cilësinë e personit zyrtar si inspektor komunal i ndërtimit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin, përkatësisht për investitorët N.K., dhe S.V.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Prizrenit.
Tutje në kumtesë theksohet se i akuzuari N.M. “nuk ndërmerr konkluzion për rrënimin e katit të tetë të kompleksit ndërtimor në lagjen ‘Jeta e re’ në rrugën ‘Xheladin Hana’, i cili ka pasur leje për ndërtim për shtatë kate (P+B+7) dhe ka ndërtuar një kat pa leje (P+B+8)”.
“Në anën tjetër, ka mundësuar që në objektin e banimit kolektiv në rrugën ‘Rexhep Bajraktari’ ndërtimin edhe të tri kateve shtesë pa leje, edhe pse leja e ndërtimit ka qenë për dy kate (B+P+2)”, shkruan në njoftim.
Sipas Prokurorisë, me këto veprime i akuzuari ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422, paragrafi 1 i KPRK-së”.
-
Aktakuzë ndaj inspektorit të ndërtimit në Prizren, lejoi ndërtimet pa leje
-
Ngrihet aktakuzë ndaj inspektorit të ndërtimit në Prizren për keqpërdorim të pozitës
-
Aktakuzë ndaj zyrtares së Komunës së Prizrenit për lëshim të lejes ndërtimore
-
Aktakuzë për dy zyrtarë të Komunës së Prizrenit për keqpërdorim të autoritetit zyrtar
-
10 muaj burgim zyrtarit të Komunës së Prizrenit për keqpërdorim të detyrës