Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

I dyshuari për vrasjen e Triumf Rizës dërgohet në paraburgim për 1 muaj

Të dyshuarit për vrasjen e Triumf Rizës, Ilir Avdullahut, i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur të mërkurën se Avdullahut i është caktuar masa e paraburgimit për veprën penale “Vrasje e Rëndë”.

“Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I.A dhe të njëjtit iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Sipas Gjykatës, i pandehuri ka qenë në arrati që nga viti 2008, andaj bazuar me sjelljen e tij në të kaluarën, u tha se ekziston rreziku që ai të arratiset “nëse i njëjti gjendet në liri”.

“Ekziston rreziku që të arratiset dhe të bëhet i pakapshëm për organet e drejtësisë, andaj konstatoi se masa e paraburgimit është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje juridiko – penale, në këtë fazë të procedurës penale.”, është bërë e ditur nga gjykata.

Ilir Avdullahu, i njohur me nofkën “Liza” është arrestuar të dielën (16 maj). Avdullahu është kërkuar për vite me radhë si pjesë e grupit që ka qenë i përfshirë në vrasjen e policit të Kosovës, Triumf Riza.