Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj një personi me inicialet S.M., i dyshuar për veprën penale të grabitjes.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, është nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe i ka paraqitur Gjykatës Themelore në Gjakovë kërkesën për paraburgim.
Sipas dyshimeve, ngjarja ka ndodhur më 2 gusht rreth orës 01:30, në hyrje të një ndërtese pranë një dyqani në Gjakovë.
Prokuroria thotë se i dyshuari, nën kërcënimin e një thike, i ka kërkuar viktimës A.M. t'ia dorëzojë paratë.
Fillimisht, viktima i ka dhënë 20 euro, por i dyshuari ka vazhduar ta kërcënojë duke kërkuar të gjitha paratë që kishte me vete. Nga frika, viktima i ka dorëzuar edhe 30 euro të tjera.
Sipas Prokurorisë, kur viktima ka tentuar të largohet, i dyshuari e ka kapur për qafe për ta penguar.
Viktima ka arritur të shkëputet dhe të ikë me vrap, ndërsa i dyshuari e ka ndjekur. Në ato momente ka ndërhyrë një dëshmitare, e cila e ka ndaluar të dyshuarin.
Prokuroria bën të ditur se para se të largohej nga vendi i ngjarjes, i dyshuari e ka kanosur sërish viktimën me fjalët: "Ti ke me e pagu shtrejt këtë, ja ti, ja unë, gjallë nuk ki me kon".
Rasti është raportuar në Polici, ndërsa i dyshuari ishte larguar dhe kishte qëndruar në arrati deri në arrestimin e tij.
Një muaj paraburgim për të dyshuarin që grabiti një person me thikë në Gjakovë
Gjykata Themelore në Gjakovë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit S.M., i dyshuar për veprën penale të grabitjes, duke aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.
Sipas njoftimit të gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se më 2 gusht rreth orës 01:30, në rrugën “Bardhyl Qaushi” në Gjakovë, i pandehuri, nën kërcënimin e një thike, i ka marrë 50 euro të dëmtuarit A.M., me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.
Sipas dosjes së rastit, kur viktima ka tentuar të largohet, i dyshuari e ka kapur për qafe dhe e ka ndjekur, por është penguar nga një dëshmitare, E.R. Para se të largohej nga vendi i ngjarjes, ai dyshohet se e ka kërcënuar sërish të dëmtuarin me fjalët: “Ti ke me e pagu shtrejt këtë; ja ti, ja unë, gjallë nuk ki me kon.”
Pas raportimit të rastit në Polici, i dyshuari është arrestuar nga zyrtarët policorë.
Sipas vendimit të gjykatës, i pandehuri do të mbahet në paraburgim për një muaj, duke filluar nga data e arrestimit, 3 gusht 2026, deri më 2 shtator 2026.