Kronikë

Goditen bandat shqiptare të drogës në Evropë, 45 të arrestuar

Një operacion ndërkombëtar ku është përfshirë edhe Europolin në shtatë shtete, ka rezultuar në kapjen e një nga rrjetet më aktive të trafikimit të kokainës të shqiptarëve, në Evropë. Të martën, Eurojust dhe Europol kanë mbështetur një seri aksionesh të nisura në Belgjikë dhe Spanjë, ku u bastisën 80 vende dhe u arrestuan 45 të dyshuar. Aty përfshiheshin një numër i të shënjestruarve të hetuar në raste të profilit të lartë në juridiksione të ndryshme.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Europol, të arrestuarit dyshohet se kanë importuar kokainë nga Amerika Latine në disa porte të Evropës, duke organizuar transportin përmes aeroplanëve, anijeve, veturave, etj.

Mbi 600 zyrtarë policie morën pjesë në bastisjet. Një numër i aksioneve të tilla u zhvilluan edhe në Kroaci, Gjermani, Itali dhe Holandë.

Ky rrjet kriminal i nivelit të lartë kishte krijuar një sërë ndërmarrjesh në vende të ndryshme për të pastruar fitimet, duke përfshirë Kroacinë dhe Spanjën. Anëtarët e saj udhëtonin rregullisht në Dubai, Meksikë dhe Kolumbi për të rregulluar biznesin e tyre të paligjshëm dhe përdorën mjete komunikimi të koduara për të koordinuar aktivitetet.

Sipas Europolit, shtetet e BE-së dhe SHBA-ja janë përdorur si vende për të fshehur aktivitetin e tyre të jashtëligjshëm.