Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Gjyqtari Ismaili dhe polici Gashi dënohen me burgim nga Gjykata Themelore

Gjykata Themelore e Prishtinës i ka dënuar me nga dy vjet e gjashtë muaj dhe me nga 2.000 euro gjobë gjyqtarin Rafet Ismailin dhe zyrtarin policor, Blerim Gashi, me akuzat për keqpërdorim të pozitave zyrtare.

Sipas komunikatës, të dy të akuzuarve do t’iu llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim edhe koha e kaluar në masën e arrestit shtëpiak dhe në paraburgim nga 26 shtatori 2019 deri më 18 nëntor 2019.

“Të akuzuarve R.I dhe B.G, u shqiptohet dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, në kohëzgjatje prej 2 viteve pas ekzekutimit (vuajtjes) së dënimit” thuhet në komunikatë.

Pos gjobave, bëhet e ditur se të akuzuarit obligohen t’ia kthejnë buxhetit të Kosovës shumën e të hollave që kanë përfituar nga mashtrimni. Rafet Ismaili obligohet t’i kthejë 1.500 euro, ndërsa Blerim Gashi 1.000 euro.

Rafet Ismajli e Blerim Gashi u arrestuan më 27 shtator 2019, nën dyshimin se kishin keqpërdorur pozitën zyrtare. Sipas Prokurorisë, ata kishin marrë para nga disa persona që ishin të përfshirë në raste të ndryshme penale.