Teksti i përditësuar - Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin ndaj Naim Murselit, i cili akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademaj, ka dëshmuar vëllai i së ndjerës, Leonard Ademaj.
Ai ka kërkuar dënim kapital për Murselin.
"Dënimi nuk na e kthen Libidonë, por le të jetë një shembull për të gjithë ata që tentojnë të bëjnë një krim të tillë. Dënimi të jetë kapital", ka theksuar ai.
Ademaj gjatë dëshmisë së tij ka treguar se si e ka kuptuar për vrasjen e motrës.
Ai ka thënë se konfirmimin zyrtar për vrasjen ai dhe prindërit e kanë marrë në stacionin e Policisë në Prishtinë.
Ka thënë se me të akuzuarin ishin parë në stacionin policor.
“Unë kam thanë që ku janë fëmijët dhe Naimi. Më kanë thanë që janë brenda …. Kur kam pyet ku është Naimi, më kanë thënë që është duke dhënë deklaratë. Pas 1 ore Naimi ka dalë nga Policia, ne fëmijët i kishim marrë në veturë, kur ka dal Naimi nga policia, aty ishte prezent edhe Kushtrim Kokalla….”, është shprehur Ademaj.
Ai ka treguar se çfarë i kishte thënë Murseli atë natë.
“Pasi kemi shkuar 4-5 metra e kom dëgjuar një krismë, por unë vazhdoja me ikë me fëmijët. Ka ardhur një veturë në drejtim tonin dhe ka dashtë me na shkelë mu e fëmijët. Kam kërkuar ndihmë, por që nuk më kanë dhënë ndihmë. Kam shkuar në market dhe aty i kam thanë pronarit të marketit a mundesh me mi këqyr fëmijët se ma kanë vra gruan. Por pronari nuk më ka lejuar, më ka thënë rri këtu dhe priti policinë. Pasi ishte natë ne i kemi marrë fëmijët dhe i kemi dërguar në shtëpi”, është shprehur Ademaj.
Ai ka thënë se të nesërmen rreth orës 11, ka provuar të gjejë kontakt me Murslein, pasi që nuk e ka ditur se ku ndodhet.
“E kam thirr Valon Llukën, dhe me ka thënë merre numrin e shoferit me të cilin është Naimi dhe kontakto me të. Pasi që e kam thirr shoferin, ai më ka thënë që është në Swiss. Kur kemi shkuar në Swiss, na ka thanë që Naimi është në dhomë lart. Kur jemi shkuar në dhomë, ai ishte i shtrirë, kishte disa gjëra ushqimore në tavolinë, po ashtu kishte porositur edhe drekën. Nga habia kemi menduar që është i frikësuar. I kam thanë Naim a mundemi me shkuar në morg me pa Liridonën, me ka thënë jo nuk na lejohet. Më pas e kam thirr spitalin dhe ju kam thanë që jam vëllai i Liridona Ademajt dhe a mundem me ardhur me pa trupin, më kanë thanë po. Me mu erdhi edhe Naimi edhe shoferi i tij. Kur shkuam atje, mjeku na tha nëse keni problem mos hajdeni. Naimi në atë moment tha, kam problem me zemër dhe nuk e di se a mund ta përballoi. Djali i axhës insistoj që me ardhur Naimi me pa. Ka ardhur deri te dera, vetëm prej dere e ka shikuar, nuk ka hy brenda”, ka treguar Ademaj.
Ai ka thënë se fëmijët e motrës i ka takuar më vonë edhe në Suedi.
“Takimi me ta, ishte shumë prekës, pasi që fëmijët në prezencë te psikologëve më treguan, që kanë qenë në veturë, kur u vra Liridona. Fjalët e Diarit, janë këto ‘Hajni e ka fut dorën dhe ia ka ba mamit bam’, po ashtu tregojnë qartë se si Naim Murseli e mbajti për dore në momentin e fundit të vrasjes. Gjithashtu përditësimin e të dhënave të tyre, që e marr unë, janë po të këtij lloji. Nga momenti që kanë shkuar në Suedi, asnjëherë nuk kanë kërkuar takim me babin, asnjëherë fëmijët nuk kanë pranuar. Fotot të cilat i dërgojnë familjarët, janë së bashku Naimi me Liridonën, ata e shkëpusin me gërshërë Naimin nga fotoja”, ka treguar Ademaj.
Para nisjes së seancës, avokati i Murselit, Shemsedin Piraj, ka kërkuar nga gjykata që të konsultohet me të akuzuarin lidhur me shqyrtimin gjyqësor. Këtë kërkesë e ka aprovuar nga Gjykata.
Në seancën e shqyrtimit fillestar, por edhe në seancën e parë të shqyrtimit gjyqësor, Murseli ishte deklaruar i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij.
Sipas aktakuzës, Murseli dyshohet se e ka organizuar vrasjen e bashkëshortes për motive hakmarrjeje dhe për të përfituar financiarisht nga një sigurim jetësor në Suedi, në vlerë rreth 260 mijë euro. Sipas prokurorisë, vrasjen ai e ka planifikuar së bashku me Kushtrim Kokallën dhe Granit Plavën, të cilëve ua ka premtuar një shumë prej 30 mijë eurosh për kryerjen e krimit.
Liridona Ademaj është vrarë në mbrëmjen e 29 nëntorit të 2023-tës, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Fillimisht ishte raportuar se bëhet fjalë për një grabitje, e më pas Prokuroria bëri të ditur se është inskenim i një grabitjeje.