Gjykata Themelore në Gjilan ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh një të mituri i cili ka dëmtuar gjashtë kamionë transportues dhe një autovinç.
Rasti ka ndodhur në rrugën qarkore në qytetin e Gjilanit, ndërkaq transportuesit e dëmtuar janë nga Rumania.
Ata po transportin materiale të destinuara për Majën e Kikës në komunën e Kamenicës ku edhe gjendet parku i energjisë me erë.
Zëdhënësi i Gjykatës Themelore, Sabit Shkodra, tha se arsyeja që Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të miturit është se i njëjti edhe në të kaluarën ka kryer vepra tjera penale. Ai ka treguar se vlera e dëmit që është shkaktuar është 50 mijë euro.
“Ju njoftojë që gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin për të Mitur, me datë 11.12.2020, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaj ndaj të miturit E. K. i cili dyshohet se ka kryer veprën penale për shkak të veprës penale asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës. Sipas shkresave në lëndë shihet se i mituri në rrugën qarkore në Gjilan, saktësisht në parkingun e kompanisë “Auto Kosova’’ me dashje e ka dëmtuar ose e ka bërë të pa përdorshme pasurinë e të dëmtuarve-kompanisë ku kanë qenë të parkuar gjashtë kamion transportues dhe një auto –vinç, në atë mënyrë që me një shufër metali, i ka thyer xhamat e 6 kamionëve transportues dhe një auto-vinç, në vlerë prej 50 mijë euro të shtetit Rumun, të cilët po transportonin materiale për në majën e Kikës”, ka thënë ai.
Kompania “Auto Kosova” në përgjigjen e saj ka deklaruar se nuk është pjesë e asnjë konflikti dhe nuk është as palë e dëmtuar, meqë në këtë rast vetë kishin lejuar që këta transportues të parkoheshin në hapësirat e saj.
“Po kishte ndodhur një aksident në rrugën qarkore dhe kamionët të cilët po transportonin materiale të energjisë me erë na kanë telefonuar dhe na kanë pyet nëse është e mundshme që t’i parkojnë kamionët e tyre në hapësirat tona, sepse nuk kishin mundësi që të lëviznin. Dhe u kemi thënë që po. Dhe një person në mëngjes ka hy brenda dhe u ka thy xhamat. Ata rumunët kanë qenë duke fjet në kamionët e tyre kur ka ndodh kjo. Nuk kam informata për arsyet për çfarë ka ndodh”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Edhe
Një muaj paraburgim të miturit për kontrabandimin e pesë kinezëve
Ndërkaq motivet për këtë sulm ndaj transportuesve rumunë dyshohet të jetë konkurrenca ndërmjet kompanive vendore. Dhe se transportuesit rumunë janë gjendur në mes.
Kompania Laquila në Prishtinë ka qenë e angazhuar për shoqërimin e transportuesve rumunë brenda territorit të Kosovës. Shoqërimi bëhet për shkak të makinerisë së rëndë e cila qarkullon me rastin e bartjes së pjesëve të cilat nevojiten për parkun e energjisë me erë. Në përgjigjen e kompanisë Laquila ata besojnë që sulmi ka ardhur nga një kompani tjetër e cila ka qenë e pakënaqur që nuk është angazhuar rreth transportit të pajisjeve të energjisë me erë.
“Ne i përcjellim mjetet e rëndë dhe u nxjerrim lejen e posaçme. Alarmojmë se në rrugë po qarkullojnë mjetet e renda. Dhe këtë e kemi bërë edhe në këtë rast. Versioni është se ai u ka thyer xhamat pse nuk po punojnë me atë kompaninë në të cilin bën pjesë i arrestumi. U është thënë rumunëve pse nuk po punoni me ne por po punoni me ata. Në mëngjes ka ndodh rasti u janë thyer xhamat. Dëmet tash janë të mëdha. Dëmi më i madh është se rumunët me kamionët e tyre kanë kaluar nëpër Serbi me xhama të thyer. Kjo e dëmton imazhin e Kosovës. Sa i përket njerëzve që janë të përfshirë në sulm nuk është çështje e jona të përmendin emrat. Është çështje e drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e tyre.
