Të miturit i është caktuar masa e paraburgimit për një muaj. Babai i tij shpreh dyshime për mënyrën e trajtimit. Shërbimi Korrektues ka thënë se rasti është trajtuar konform rregullave. Gjykata ka sqaruar se vendimi për paraburgim është marrë për të shmangur rrezikun e përsëritjes së veprave, ndërsa ka obliguar Klinikën e Psikiatrisë të bëjë ekzaminimin dhe vlerësimin. Deri më datën 22 mars Gjykata ka thënë që s’ka përfunduar vlerësimi, ndërkaq KOHA ka mësuar se i mituri është liruar në arrest shtëpiak. Organizatat që monitorojnë Shërbimin Korrektues thonë se trajtimi i personave me probleme mendore përbën sfidë në mungesë të institucioneve të specializuara
“Me duar të përgjakura” thotë se e ka parë herën e fundit të birin e tij, një burrë në të dyzetat, kur kishte shkuar ta takonte në Qendrën Korrektuese në Lipjan, ku 14-vjeçari ishte dërguar më 11 mars. I mituri, i njohur për kryerjen e mbi 200 veprave penale, ka probleme mendore, gjë që e ka bërë babanë e tij të brengoset për mënyrën se si është trajtuar dhe për rrezikun e keqësimit të gjendjes së tij psikike. Veprat kanë pasur të bënin kryesisht me plaçkitje brenda veturave, por, meqë ka qenë nën 14 vjeç, nuk ka pasur përgjegjësi penale. Tani, pasi ka arritur këtë moshë, ai është dërguar në paraburgim për dyshimin se bashkë me një 17-vjeçar kanë thyer disa vetura dhe kanë vjedhur gjësende brenda tyre në parkingun e një objekti në Fushë-Kosovë.
Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për të Mitur, ka marrë vendimin për paraburgim të 14-vjeçarit një ditë pasi ai është arrestuar, ndërkohë që 17-vjeçari është ende në arrati. Një vendim tjetër është marrë edhe për ekzaminimin psikiatrik të të dyshuarit, sipas kërkesës së mbrojtjes.
Institucionet që monitorojnë punën e Shërbimit Korrektues thonë se trajtimi i personave me çrregullime mendore është sfidë, pasi që nuk ka vende adekuate dhe të specializuara për vendosjen e tyre.
Tri ditë pasi është dërguar në Qendrën Korrektuese, babai kishte shkuar që ta takonte dhe kishte dalë nga aty me bindjen se ndaj tij ishte ushtruar dhunë.
“Dje kam qenë në vizitë, e kishin rrahur edhe gardianët, në bazë të fjalëve të tij, edhe i besova. A e dini pse i besova? Se nuk bën t’u besohet këtyre rasteve, por duart i pat krejt gjak. Jam rrahur, më tha, edhe me shokë, edhe duke luajtur aty. Pse duhet t’i nxjerrin për të luajtur, ata janë të paraburgosur? Fëmija duhet të trajtohet. A e ke futur në burg, trajtoje”, ka përshkruar i ati më 15 mars, vizitën e parë tek i biri në Lipjan. “Fëmija boll keq ka qenë, por gjendja e tij është ende më e keqe. Gjendja e fëmijës tash është shumë më e keqe sesa ka qenë”.
Edhe
Mungesa e kapaciteteve psikiatrike lë persona me çrregullime mendore në burgje
Kjo e ka bërë atë që të dyshojë nëse janë ndjekur të gjitha procedurat nga institucionet relevante për trajtimin e rasteve, siç është ky.
“Unë ua kam dorëzuar letrat në burg gjatë vizitës. Më thanë qysh kështu, pse nuk na keni njoftuar? Ju thashë se gjykata është dashur t’ju njoftojë, jo unë. Dhe terapinë nuk ia paskeni dhënë fëmijës, sepse unë e pyeta atë ‘a i ke pi kokrrat’, më tha ‘jo’”, ka treguar ai komunikimin me zyrtarë të burgut që ka bërë të hënën, më 14 mars, ditën e vizitës.
KOHA i ka dërguar pyetje për rastin Shërbimit Korrektues të Kosovës, më 16 mars e në përgjigjet e pranuara gjashtë ditë më vonë, zyra për informim ka mohuar se nuk ka qenë në dijeni për gjendjen e të miturit. Megjithatë, nuk ka pranuar të deklarohet për pretendimet e prindit për dhunën, sipas tij, të ushtruar ndaj të miturit.
“I mituri është trajtuar konform gjendjes shëndetësore të tij dhe dokumenteve që ka poseduar. Është në përkujdesjen e mjekut, psikiatrit dhe psikologut të burgut. Vazhdimi i trajtimit dhe lloji i trajtimit bazohen nga dokumentacioni përkatës i Klinikës së Psikiatrisë së Fëmijëve që është sjellë nga familja dhe nga konsulta e dërguar nga NjShB në Lipjan”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për informim nga SHKK-ja.
Rreth pretendimeve të babait, KOHA ka kontaktuar edhe drejtorin e Departamentit Shëndetësor të Burgjeve, Milazim Gjocaj. Ai ka thënë se nuk ka çka shton më tepër se kaq dhe se çfarëdolloj dyshimesh që mund të ketë pasur babai i të miturit, ka adresa të tjera ku mund t’u drejtohet e jo në media. Nuk ka pranuar të komentojë fare përshkrimin që prindi ka bërë për të birin në vizitën e tij të parë.
Dy ditë pas kësaj vizite atij i është bërë ekzaminimi i kërkuar po ashtu me vendim nga Gjykata Themelore e Prishtinës, krahas atij për paraburgim.
Ai është dërguar të mërkurën në Klinikën Psikiatrike të fëmijëve në QKUK, e të premten edhe e ëma e fëmijës ka shkuar në Klinikë për t’iu përgjigjur pyetjeve shtesë rreth gjendjes së tij.
Vlerësimi psikiatrik
Në një përgjigje për KOHËN, Gjykata ka folur për të dy vendimet rreth këtij rasti.
“Gjykata ka urdhëruar Klinikën e Psikiatrisë për Fëmijë dhe Adoleshentë që të bëjë ekzaminimin psikiatrik dhe vlerësimin psikologjik, ku i është bashkëngjitur edhe dokumantacioni mjekësor i prezantuar nga familjarët dhe e njëjta është në realizim e sipër dhe varësisht nga rekomandimi do të veprohet tutje”, ka thënë Mirlinda Gashi, zyrtare për informim e Gjykatës Themelore, në një përgjigje më datën 22 mars.
Derisa vlerësimi psikiatrik ende ishte në realizim, masa e paraburgimit qe zbatuar menjëherë dhe arsyen për këtë e ka dhënë Gjykata, ndërkohë që ka dhënë përgjigje edhe për trajtimin në qendër korrektuese.
“Të njëjtit i është caktuar masa për të parandaluar përsëritjen e veprës penale, pasi që dyshohet për shumë raste, ndërsa sa i përket kujdesit për shëndetin e të miturit, në institucion ekziston personeli mjekësor që i ofron përkujdesjen e duhur dhe se varësisht se çfarë rekomandojnë mjekët nga Klinika e Psikiatrisë për Fëmijë dhe Adoleshentë të miturit i është ofruar”, ka thënë Gashi.
Megjithëse Gjykata ka thënë më 22 mars se ende s’ka përfunduar vlerësimi psikiatrik, KOHA ka mësuar se i mituri është liruar në arrest shtëpiak.
Por është pikërisht gjendja e tij mendore që, sipas babait, e ka bërë djalin e tij viktimë po aq sa edhe kryerës të veprave penale.
“202 vetura i ka hapur. Nuk i ka hapur ky, po ai shoku i tij, ai ia ka ditur gjendjen shëndetësore. Nuk i ka thyer, por kur i ka gjetur të hapura ka hyrë në to”, ka thënë ai, duke shprehur dyshimin se është manipuluar. Ai ka thënë se e kupton situatën e krijuar ku “policia është lodhur nga ai” dhe se i vjen keq për këtë.
Edhe
Një muaj paraburgim ndaj të miturit për vrasjen në Kobaj të Prizrenit
I mituri, sipas babait, është i diagnostikuar qysh në fëmijërinë e hershme me F71, që është “prapambetje e moderuar e zhvillimit mendor” dhe F91, që është “çrregullim i sjelljes”. Këto informata janë të paraqitura edhe në aktvendim. KOHA ka kontaktuar mjekun psikiatër që ka trajtuar të miturin në QKUK, por përveçse ka pranuar se është marrë me rastin, nuk ka dashur të komentojë më shumë.
Avokatja Albulena Sheholli, e caktuar sipas detyrës zyrtare, nuk ka pranuar të flasë me arsyetimin se bëhet fjalë për rastin e një të mituri, por në aktvendimin e Gjykatës Themelore ajo citohet të ketë thënë se edhe vetë fëmija ka pranuar se ka hyrë në mbi 200 vetura dhe se ato, sipas saj, kanë qenë të hapura. Ajo ka kërkuar që ndaj tij të caktohet vetëm masa e ekzaminimit psikiatrik.
Prokuroria ka insistuar në dyshimin e bazuar se, siç thuhet në aktvendim, veturat janë thyer me forcë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm dhe se fakti që deri më tani ai ka qenë i përfshirë në mbi 200 vepra të ngjashme e bën atë “rast të papërmirësueshëm”. Ka kërkuar masë të paraburgimit.
“I njëjti deri më tani ka qenë nën moshën 14- vjeçare dhe nuk ka pasur përgjegjësi penale, prandaj duke u bazuar në këtë ekziston rreziku edhe i përsëritjes së veprave penale nga i mituri”, citohet prokurori i rastit.
Ndërkohë, në aktvendimin e Gjykatës për paraburgim shkruan se merren parasysh të dyja palët, sikurse mbrojtja që kërkon vetëm ekzaminim psikiatrik, ashtu edhe Prokuroria që flet për rrezikun e përsëritjes së veprave penale.
“Pas analizimit të të gjitha kushteve të përcaktuara ligjore ka ardhur në përfundim se masa e paraburgimit është masë adekuate në rastin konkret ndaj të miturit xx në mënyrë që të sigurohet parandalimi i përsëritjes së veprës penale dhe se në rastin konkret masat e tjera alternative janë të pamjaftueshme, duke pasur për bazë faktin se i mituri edhe më parë ka kryer veprime të tilla, në rreth 200 raste, derisa ka qenë fëmijë nën moshën 14-vjeçare. Ndërsa për të miturin do të caktohet ekzaminimi psikiatrik me aktvendim të veçantë”, thuhet në aktvendim.
Mungesa e institucioneve të specializuara
E nga Mekanizmi Kombëtar për Parandalim të Torturës, në kuadër të Institucionit të Avokatit të Popullit, kanë deklaruar se deri në interesimin e televizionit nuk kanë qenë të njoftuar për rastin. Sipas tyre, nuk është e preferuar që personat me sëmundje mendore të mbahen në qendra korrektuese.
Lulkuqe Gashi, psikologe nga Mekanizmi Kombëtar për Parandalim të Torturës, ka thënë se kjo kategori duhet të trajtohet me kujdes të veçantë.
“Duhet ta theksoj që edhe në legjislacionin vendor, edhe sipas standardeve ndërkombëtare, edhe nga ekspertë vendorë e ndërkombëtarë të shëndetit mendor, përcaktohet qartë që çdo person që ka probleme mendore, pa marrë parasysh diagnozën çfarë është, ai duhet të trajtohet në një mjedis të përshtatshëm dhe me staf adekuat të trajnuar për këtë kategori”, ka thënë ajo.
Gashi shton se vazhdimisht kanë dhënë rekomandime tek institucionet për këtë problematikë.
“Në Kosovë ka mungesë të kapaciteteve për trajtimin e kësaj kategorie. Ne kemi Institutin e Psikiatrisë Forenzike, i cili ka kapacitete të kufizuara për trajtimin e rasteve me çrregullime mendore. Po ashtu, edhe në Klinikën Psikiatrike nuk ka kapacitete të mjaftueshme, ne e kemi ngre vazhdimisht këtë problem”, ka deklaruar ajo.
Se Kosova ballafaqohet me mungesë të institucioneve përkatëse për trajtimin e personave me probleme mendore e thotë edhe Fatmire Haliti, monitoruese në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës.
“Mirëpo, fatkeqësisht, si shqetësim apo sfidë në këto institucione është trajtimi i të miturve me çrregullime mendore. Vendosja dhe trajtimi i personave me çrregullime mendore janë sfidë në të gjitha institucionet korrektuese, pasi që nuk ka vende adekuate dhe të specializuara për vendosjen e tyre dhe veçanërisht është shqetësuese që për të miturit nuk ka ambiente apo institucione të tilla për vendosjen dhe trajtimin e të miturve që kanë çrregullime mendore”, ka thënë ajo.
Sipas Halitit, të miturit me çrregullime mendore duhet të trajtohen në mënyrë të veçantë dhe në institucione të specializuara.
Edhe
Rasti i keqtrajtimit të 5-vjeçarit nga prindërit shihet si dështim i institucioneve të shtetit
“E në këtë rast mbajtja e tyre në qendra korrektuese apo në qendra të paraburgimit për të mitur të zakonshëm është mjaft sfiduese dhe paraqet vështirësi pas daljes së tyre në liri. Kodi ka dispozita të veçanta, të cilat parashohin që në raste të tilla të miturit të vendosen në institucione të specializuara të kujdesit shëndetësor, por në mungesë të këtyre institucioneve ata vendosen në qendra korrektuese bashkë me të mitur të tjerë, duke u pamundësuar trajtim dhe akomodim adekuat”, ka shtuar ajo.
*21:40 – Teksti është përditësuar me të dhënën për lirimin e të miturit