Ndaj dhjetë personave është ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Pejë për veprat penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, “ndihma në kryerjen e veprës penale” “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, veprën penale “Kanosja”, dhe veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë se huaj”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri B.K, më 23 prill 2024 në një lokal në Pejë, duke gjuajtur eksplozivë dhe me veprimet e tij të rrezikshme ndaj lokalit, ka rrezikuar jetën e njerëzve dhe ka shkaktuar dëme materiale, derisa i pandehuri paraprakisht ishte furnizuar në pompë të derivateve prej 1.5 litra dhe të njëjtën e kishte hedhur në drejtim të lokalit duke ia vënë zjarrin.
Ai gjithashtu akuzohet edhe për veprën penale “Kanosja”, përderisa ishte duke u transportuar në stacionin policor, ka kanosur zyrtarin policor me fjalët “a e desh uniformën ti, shihemi pa uniforme, e sheh ti kush jam unë, Peja është e vogël”, duke vazhduar me fjalë kanosëse edhe në stacionin policor ndaj zyrtarit policor me fjalët “pse po bëhesh si polici Triumf Riza, a e din se fati i tij të pret edhe ty”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Në aktakuzë akuzohen edhe tre të pandehurit M.E, D.B dhe L.A, të cilët me veprimet e tyre kanë ndihmuar të kryhet vepra penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” në lokalin i cili ishte cak i të pandehurve.
Gjashtë të pandehurit, A.R, A.M, T.M, E.B, A.K dhe Y.D, në bashkëkryerje pasi gjuhet eksplozivi në lokal nga i pandehuri, shkojnë tek të dëmtuarit dhe i grushtojnë e i shkelmojnë duke ju shkaktuar lëndime, për çka akuzohen për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
I pandehuri, A.R, akuzohet edhe për veprën penale “Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë se huaj” për shkak se natën kritike me thikë kishte shpuar gomat e veturës, e cila ishte shfrytëzuar nga të pandehurit për djegien e lokalit.