Një ngjarje që ka tronditur Fierin është regjistruar ditën e sotme. Një burrë ka vrarë gruan e tij duke e goditur disa herë me thikë në gjoks për motive xhelozie, sipas Policisë së Shtetit.
Policia u njoftua fillimisht se gruaja kishte vrarë veten me thikë, por më pas u zbulua se në fakt ishte vrarë nga bashkëshorti i saj, i cili e kishte goditur disa herë më mjetin prerës në gjoks duke i shkaktuar edhe vdekjen.
Pas vrasjes, autori e kishte lënë trupin e pajetë të bashkëshortes në shtëpi dhe shkoi në një restorant aty pranë për të konsumuar drekën.
I dyshuari kishte shkuar në lokal për të dhënë idenë ai nuk e dinte për krimin. Pasi është kthyer, ka pretenduar se kishte gjetur të vrarë gruan e tij, dhe kësisoj ka njoftuar vëllanë e tij që e kishte polic në Fier. Ishte ky i fundit që njoftoi policinë se kunata kishte vrarë veten.
I dyshuari P.M. akuzohet për “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, ndërsa nën cilësinë e provës materiale është sekuestruar një thikë, me të cilën dyshohet se 56-vjeçari vrau gruan.