Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Dy të lënduar në një aksident në Rahovec

Dy persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku të ndodhur gjatë pasdites të së hënës në Rahovec midis dy veturave.

Të lënduarve fillimisht i është dhënë ndihma e parë nga mjekët në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Rahovec, e më pas janë transportuar në spitalin rajonal ‘Isa Grezda’ në Gjakovë.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Nysret Gjurkaj, i ka thënë KOHËS se njëri nga të lënduarit ka pësuar frakturë trupore, ndërsa i lënduari tjetër ka pësuar lëndime të lehta dhe se të dy mbeten për shërim të mëtutjeshëm në spital.

Ai më tej ka treguar se si ka ardhur deri te aksidenti midis dy veturave.

“Deri te aksidenti ka ardhur kur i dyshuari kishte qenë duke e drejtuar automjetin e tipit BMW 320 D, e që ishte duke qarkulluar në aksin rrugor Rahovec- Malishevë, me të arritur në Rrugën “Shkodrani” në dalje të qytetit të Rahovecit, nuk e mbanë shiritin e djathtë të lëvizjes dhe kalon në shiritin e kundërt të rrugës, fillimisht me pjesën parë-ballore të majtë, përplaset për mbrojtëse metalike të rrugës, ku papritmas me pjesën e parë-ballore të majtë, e godet në pjesën e parë-ballore të djathtë, automjeti Mercedes, i cili ishte duke qarkulluar në drejtimin e kundërt, me këtë rast shkaktohen dëme të konsiderueshme materiale në automjete, lëndime trupore pësojnë dy drejtuesit e automjeteve”, ka thënë ai.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar i Shtetit dhe me urdhër të tij, rasti shkon në procedurë të rregullt.

Artikuj të ngjashëm