Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Prizren, nën dyshimin për falsifikim të monedhave.
Në magjistralen Prizren – Vërmicë u ndaluan dy vetura të martën, me të cilën dyshohej se po barteshin paratë e falsifikuara.
Pas kontrollit në automjetin e parë janë gjetur 850 monedha metalike 2 euro, në total 1700 euro, që dyshohen të falsifikuara.
Ndërsa në veturën e dytë janë gjetur dy monedha metalike nga 2 euro, si dhe një kallëp metalik rrethor i zbrazët i monedhës 2 euro, pesë copa të vogla metalike rrethore të monedhës dy euro. Po ashtu edhe katër telefona celularë.
“Me urdhër të prokurorit janë kontrolluar dy shtëpi, pronë e të dyshuarve: B.D. dhe T.K., të njëjtit janë intervistuar në prezencë të avokatëve mbrojtës. Të dyshuarit me aktvendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë”, thuhet nga Policia e Kosovës.
Sveçla: Monedhat e falsifikuara, fakt tejet shqetësues
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas arrestimit të dy personave në Prizren, nën dyshimin se e kanë kryer veprën penale “Falsifikim i parasë”.
Edhe
Dy të arrestuar në Prishtinë për 40 mijë euro të falsifikuara
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka thënë se dukuria e prodhimit dhe qarkullimit të monedhave të falsifikuara, vazhdon të mbetet fakt shqetësues.
“Dukuria e prodhimit dhe futjes në qarkullim të monedhave të falsifikuara vazhdon të mbetet fakt tejet shqetësues përveç që një akt i tillë është edhe vepër penale. Policia e Kosovës dhe akterët tjerë të sigurisë janë të angazhuar maksimalisht në lokalizimin dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë atyre që janë të përfshirë në këtë aktivitet ilegal”, ka shkruar Sveçla.
Ai më tej ka thënë se do të vazhdojë angazhimi dhe bashkëpunimi me akterët e sigurisë për reagim ndaj veprimtarive të tilla.