Dy persona janë arrestuar mbrëmjen e së premtes në rrugën “Astrit Rrushi” në Prishtinë, pasi gjatë një kontrolli të realizuar nga Policia e Kosovës, tek ta janë gjetur dhe konfiskuar katër armë zjarri dhe 64 fishekë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:50. Policia ka ndërmarrë veprime të menjëhershme, duke arrestuar dy të dyshuarit, shtetas kosovarë, për posedim të paautorizuar të armëve.
Pas intervistimit nga autoritetet hetimore, me vendim të prokurorit, njëri prej të dyshuarve është dërguar në mbajtje. Ndërsa personi i dytë është transferuar në vuajtje të dënimit, në bazë të një urdhërese të mëparshme të lëshuar nga gjykata.
Policia ka konfirmuar se armët dhe municioni janë konfiskuar si prova materiale, ndërsa hetimet rreth rastit po vazhdojnë.