Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Dogana me operacion në Merdar, parandalon tri raste të kontrabandimit

Tri raste të kontrabandimit në pikëkalimin kufitar të Merdarit janë parandaluar të mërkurën nga Dogana e Kosovës.

Ky institucion ka njoftuar se ky operacion ka çuar në zbulimin dhe parandalimin e kontrabandimit të barnave, të preparateve kimike për dysheme dhe të kontrabandimit të telefonave iPhone.

“Në rastin e parë të këtij operacioni, njësitë antikontrabandë kanë zbuluar një sasi të konsiderueshme të barnave dhe steroidëve të padeklaruar. Mallrat identifikuar janë përfshirë në mbi 600 paketime të llojeve të ndryshme. Procedura kundërvajtëse është iniciuar ndaj personit përgjegjës dhe mallrat janë konfiskuar, duke ndaluar tentativën e kontrabandimit të këtyre substancave të rrezikshme”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Më tej thuhet se operacioni ka vazhduar me zbulimin e sasisë së preparateve kimike për dysheme, që arrijnë një peshë prej rreth 35 kilogramë.

“Mallrat janë konfiskuar dhe është nisur procedura kundërvajtëse për personin përgjegjës”, thuhet në njoftim. “Gjatë operacionit të sotëm është zbuluar tentativa për kontrabandimin e 10 telefonave të markës iPhone Pro Max 13 dhe 12. Këto mallra janë konfiskuar, duke parandaluar tentativën e paligjshme për t’u futur në territorin e Kosovës”, ka shtuar Dogana.