Është mbajtur seanca fillestare ndaj N. M i cili akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij me shufër metali në fshatin Berivojcë të Kamenicës.
I pandehuri para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Gjilan ka pranuar fajësinë pa dashje të vrasjes së bashkëshortes së tij. Mirëpo, kjo është kundërshtuar nga prokurori i rastit Arben Ismajli dhe nga kryetari i trupit gjykues, Zyhdi Haziri.
Zëdhënësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Sabit Shkodra ka thënë se gjyqtari dhe prokurori i rastit kanë refuzuar pranimin e fajësisë nga i akuzuar, meqë siç potencon ai kjo vepër kryhet me dashje.
“Është mbajtur seanca fillestare për rastin në fjalë. I akuzuari ka pranuar fajësinë, por jo me dashje, mirëpo këtë e ka kundërshtuar prokurori i rastit dhe kryetari i trupit gjykues ka refuzuar pranimin e fajësisë së të akuzuarit, pasi që kjo vepër kryhet me dashje”, tha Shkodra.
Po ashtu gjyqtari ka nxjerrë edhe aktvendim me të cilin ka refuzuar pranimin e fajësisë. Ndërsa, në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan, N. M akuzohet se ka vrarë gruan e tij duke e goditur me shufër të metaltë.