Gjykata Themelore e Pejës ka shpallur aktgjykim dënues ndaj katër zyrtarëve komunalë të Pejës për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe mashtrim.
Po ashtu edhe ndaj një pronarit të një firme është shqiptuar aktgjykim dënues.
Durim Sheremeti, akuzohet se më datën 19 shtator të vitit 2017, në pozitën e shefit të kabinetit të kryetarit të Kuvendit Komunal të Pejës, i ka tejkaluar kompetencat, duke nënshkruar raportin mbi pranimin e mallit me titull “Blerja e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial për Qendrën Sportive në Pejë”, në vlerë prej 11.929.41 €, pa pas mandat dhe kompetencë në emër të organit mbikëqyrësi – menaxherit të projektit F.Z, e i cili me vendim të Kryetarit të K.K në Pejë, ka qenë i emëruar si menaxher i projektit për tenderin e lartcekur , në atë mënyrë që i pandehuri, pa pasur ndonjë vendim apo mandat nga K.K. Pejë dhe kompetenca që të nënshkruaj në emër të personit tjetër, në raportin mbi pranimin e mallit, ka nënshkruar pranimin e makinës, e të cilin pranim ka refuzuar ta nënshkruaj menaxheri i projektit F.Z.
“Edhe pse ka qenë në dijeni se makina që është sjellë nga operatori ekonomik, nuk është sipas projektit të kërkesës, sipas paramasave dhe specifikave të përcaktuar në tender, si në para, ngase makina e sjell nga operatori ekonomik është në vlerë prej 2000 €, ashtu edhe në parallogaritë dhe specifikat e tenderit dhe me këtë veprim ka dëmtuar buxhetin e Komunës për shumën prej 9.929.41 € duke i mundësuar njëkohësisht përfitim operatorit ekonomik, këtu të pandehurit I.K, dobi në shumë prej 9.929.41 €”, thuhet nga Gjykata Themelore e Pejës. “Me këto veprime i pandehuri D.SH ka kryer vepër penale keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 par.1 të KPRK-së”.
Tre zyrtarëve të Komunës së Pejës, G.L, R.Zh dhe G.SH, si anëtar të Komisionit mbi pranimin e mallit, me dashje thuhet se nuk kanë pranuar detyrat e tyre zyrtare, kanë nënshkruar raportin mbi pranimin e mallit me titull kontrate “Blerja e makinës për mirëmbajtjen e barit artificial për Qendrën Sportive në Pejë”. Me çka secili veç e veç kanë kryer vepër penale keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 par. 1 të KPRK-së.
E I.K. pronar i firmës G.C. – SHPK, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit thuhet se i ka shkaktuar Komunës së Pejës dëm në vlerë 9.929 euro dhe ai akuzohet për mashtrim.
Durim Sheremetit i është shqiptuar dënim me burgim prej gjashtë muajve, që do ta vuaj pasi aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm. Por, gjykata këtë dënim ia ka zëvendësuar atij me gjobë prej 7000 euro.
Po ashtu i është shqiptuar masa e ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratë publike ose shërbim publik prej dy vjetëve.
Ndërkohë G.L., R. ZH. Dhe G.Sh., janë dënuar me dënim me burgim me kusht prej gjashtë muajve, të cilët ata nuk do ta vuajnë nëse në afat prej një viti nuk kryejnë vepër penale.
E I.K. i është shqiptuar dënimi me burg prej gjashtë muajve, të cilin e ka zëvendësuar me gjobë prej 5000 euro, e po ashtu i është shqiptuar një gjobë prej 2000 euro, pra total 7000 euro.