Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Aktakuzë ndaj 12 zyrtarëve të autoshkollave në Pejë për keqpërdorim detyre e ryshfet

autoshkolla

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave të dyshuar për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, “Manipulim me prova”, “Legalizim i përmbajtjes së rreme” dhe “Dhënie ryshfeti”, lidhur me dyshimet për pajisje të kundërligjshme të kandidatëve me patentë shoferë në Pejë.

Sipas komunikatës zyrtare të Prokurorisë, aktakuza prej 391 faqesh përfshin 12 të pandehur, të cilët dyshohet se përmes veprimeve të kundërligjshme u kanë mundësuar kandidatëve të autoshkollave të ndryshme kalimin e testeve teorike dhe praktike për patentë shofer.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri A.Sh., në cilësinë e Koordinatorit të Njësisë së Qendrës për Patentë Shoferë në Pejë, gjatë periudhës 2021 deri më 23 korrik 2024, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare duke mos zbatuar Ligjin për Patentë Shofer dhe udhëzimet administrative për organizimin dhe mbajtjen e provimeve.

Ai dyshohet se ka organizuar testime teorike edhe në rrethana të kundërligjshme, duke mundësuar pjesëmarrjen e kandidatëve që nuk figuronin në listat zyrtare dhe pa koordinim me strukturat përgjegjëse të ministrisë kompetente.

Sipas aktakuzës, i pandehuri R.S. dyshohet se ka ndërmjetësuar në dhënien e ryshfetit nga përfaqësues të autoshkollave, ku shumat varionin nga 300 deri në 1 mijë euro, me qëllim të kalimit të kandidatëve në provimet teorike dhe praktike.

Prokuroria ka përfshirë në aktakuzë edhe dyshimet ndaj A.Sh., T.Sh. dhe R.S. për veprën penale “Manipulim me prova”, e cila sipas dosjes hetimore dyshohet të jetë kryer më 17 nëntor 2023 në zyrën e koordinatorit të Njësisë së Qendrës për Patentë Shoferë në Pejë.

E pandehura T.Sh., në cilësinë e pyetëses së pjesës teorike, dyshohet se gjatë viteve 2021-2024 ka ndihmuar kandidatët në kalimin e testit teorik duke u treguar përgjigjet e sakta dhe duke lejuar testime edhe pa dokumentacion të kompletuar.

Veprime të ngjashme dyshohet se janë kryer edhe nga M.Sh., po ashtu pyetëse e pjesës teorike, e cila sipas aktakuzës ka vepruar në kundërshtim me detyrat zyrtare për përfitime pasurore.

Në këtë rast penal përfshihet edhe L.G., zyrtar administrativ në Njësinë e Qendrës për Patentë Shoferë në Pejë, i cili dyshohet se ka lejuar paraqitjen e kandidatëve me dosje të pakompletuara dhe nuk ka regjistruar dhjetëra kandidatë në librat përkatës.

Sipas Prokurorisë, gjatë kontrollit janë gjetur edhe dosje kandidatësh të mbajtura jashtë institucionit në mënyrë të kundërligjshme.

Ndërkaq, të pandehurit B.K. dhe N.D., në cilësinë e ekzaminuesve të pjesës praktike, dyshohet se kanë organizuar testime praktike jashtë orarit zyrtar dhe në kundërshtim me udhëzimet administrative, duke mundësuar kalimin e kandidatëve pa i përmbushur kriteret ligjore.

Prokuroria vlerëson se si rezultat i këtyre veprimeve, disa autoshkolla kanë përfituar avantazh të padrejtë konkurrues në treg, duke regjistruar numër më të madh kandidatësh krahasuar me autoshkollat tjera.

Të pandehurit M.I., D.T. dhe M.D., në cilësinë e përfaqësuesve të autoshkollave, akuzohen për “Dhënie ryshfeti” dhe “Legalizim të përmbajtjes së rreme”, ndërsa B.B. dhe F.Z. akuzohen për “Legalizim të përmbajtjes së rreme”.

Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Prokuroria Themelore në Pejë ka deklaruar se mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit, keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe formave të tjera të kriminalitetit që cenojnë sundimin e ligjit dhe besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.