Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Bastisje në disa kafiteri të Gjilanit

Më 15 maj 2018, duke filluar nga ora 22:30, Njësia për Hetimin e Trafikimit me Njerëz nga shtabi qendror që veprojnë në Gjilan, kanë zhvilluar planin operativ “Maji 2018” me qëllim të parandalimit apo të identifikimit të ndonjë viktime potenciale të trafikimit.

Me këtë rast janë bërë kontrollimi i lokaleve (kafeneve) “Trend” në fshatin Pozhoran, “Kalaja” ne fshatin Kllokot, “Kometa” në magjistralja Gjilan-Ferizaj (në dalje të fshatit Livoç i ulët) dhe te “Adriatika” në magjistralen Gjilan-Kamenicë.

Në zbatimin e këtij plani kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të institucioneve tjera si të Administratës Tatimore të Kosovës, Inspektorë të Punës dhe Inspektorët Komunalë.

“Janë gjetur gjithsej 23 punëtore duke punuar në këto kafene, me qëllim të plotësimit të proceduarave dhe dhënies së mundësisë për t’u deklaruar nëse ndonjëra nga to mund të jetë viktimë potenciale e trafikimit, janë intervistuar të gjitha, por nuk janë gjetur elementë të veprës penale, ndërsa pesë (5) punëtoreve që nuk kanë qenë shtetase të Republikës së Kosovës dhe nuk kanë poseduar leje qëndrimi, iu janë sekuestruar dokumentet e udhëtimit. Për procedura të mëtutjeshme do të merret Polica e Kosovës, drejtoria e migrimit”, thuhet në njoftimin për media të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Gjilanit.

Ndërkaq, gjatë kontrollit në lokalin “Kalaja”, Njësitet e Policisë së Kosovës për Reagim të Shpejtë, kanë hasur të dyshuarin shqiptar shtetas i Kosovës i cili ka poseduar një revole dhe të njëjtin e kanë shoqëruar në stacionin policor të Kllokotit.

Pas intervistimit, lënda me procedurë të rregullt dërgohet në gjykatë.

Artikuj të ngjashëm