Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Policia e Kosovës kontrollon 28 lokale nate, has në 183 gra pa leje pune

Në zbatim të Planit Operativ “Maji 2018”, marrjes së masave proaktive dhe verifikimin të informatave nga terreni, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore e PK-së, në bashkëpunim dhe në mbështetje të inspektorëve komunalë, zyrtarëve të ATK-së dhe njësive tjera të profilizuar në kuadër të PK-së, ka realizuar kontrolle dhe inspektime rutinë në njëzet e tetë (28) bare dhe lokale të ndryshme.

Shtatë nga këto lokale, sipas PK-së, janë mbyllur nga inspektorë kompetentë.

“Në këto lokale policia ka hasur 183 femra (122 shtetase të Shqipërisë, 56 shtetase të Kosovës, 2 shtetase të Serbisë, dy shtetase të Maqedonisë dhe 1 shtetase bullgare). Të gjitha shtetaseve të huaja u janë konfiskuar dokumentet (në mungese të paraqitjes së lejes së punës dhe qëndrimit) dhe u janë lënë ftesat për t’u paraqitur në Drejtorinë për Migrim dhe të Huaj”, thuhet në komunikatën e PK-së.

Polica gjatë kontrollit në lokale ka gjetur dhe konfiskuar një revole me 8 copë fishekë, një thikë, një shufër metali dhe gjësende tjera relevante.

Policia thotë se mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave të saja kushtetuese e ligjore për të ofruar rend dhe siguri publike, luftuar aktivitetet kriminale, përfshirë trafikimin me qenie njerëzore.