Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Arrestohet Salih Tahiri, vëllai i kryetarit të Vushtrrisë Xhafer Tahiri

Foto: Driton Paçarada / KD

Policia e Kosovës ka arrestuar Salih Tahirin, vëllaun e kryetarit të Vushtrrisë Xhafer Tahiri.

Burime i kanë thënë Kohavisionit se, përveç tij, është arrestuar edhe një person tjetër me inicialet Sh.K.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Lajmin për arrestimet e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha.

“Sot, më 7 tetot, Njësia e Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicë ka arrestuar dy të dyshuar për përfshirje në veprën penale ‘ushtrim i ndikimit’. Me aktvendim të prokurorit, që të dy janë dërguar në mbajtje për 48 orë”, ka thënë Hoxha për KTV-në.

Në një video-skandal të publikuar ditë më parë, Salih Tahiri, dëgjohet duke diskutuar për marrje ryshfeti në këmbim të lejeve ndërtimore.

Kujtojmë se Prokruoria kishte nisur hetimet për vëllanë e kryetarit të Vushtrrisë që vjen nga LDK-ja.

Ndërmjet qebapëve e jogurtit, Salih Tahiri, vëllai i kryetarit të Vushtrrisë, Xhafer Tahirit, dyshohet të jetë përfshirë në afera korruptive.

Portali Indeksonline ka publikuar një video-material 12-minutësh, ku supozohet se diskutohet e merret ryshfet në këmbim të lejeve për ndërtim, derisa identiteti i bashkëbiseduesit të Salih Tahirit, nuk bëhet i ditur.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, në llogarinë e tij në Facebook, kishte akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës për shantazh.

“Kjo është edhe një fushatë e ulët e kësaj partie për të më kushtëzuar të kaloj në anën e tyre. Kam refuzuar dhe do të refuzoj t'i nënshtrohem krimit dhe shantazhit. Asgjë e prezantuar në këtë video nuk është me dijen time e as me pjesëmarrjen time”, kishte shkruar mes tjerash Tahiri.

Tutje, Tahiri kishte shprehur gatishmërinë që të bashkëpunojë me organet e drejtësisë, të cilave u ka bërë thirrje t’i nisin hetimet.

E, pikërisht këtë gjë e ka bërë Prokuroria Themelore e Mitrovicës.

Në një njoftim të dërguar për media, bëhet e ditur se kryeprokurori Shyqyri Syla ka urdhëruar hetimin për videot, ku shihet Salih Tahiri, vëllai i kryetarit Tahiri.

Në fillim të mandatit të tij si kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri e kishte angazhuar vëllanë e tij, Salih Tahiri, si shofer personal.